Vuçiç: Serbia ‘mezi e shpëtoi’ paqen në Kosovë
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, tha të mërkurën në Beograd se Serbia “mezi e shpëtoi” paqen në Kosovë, duke ju referuar zhvillimeve të muajit dhjetor në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.
Për gati tri javë me radhë grupe serbësh bllokuan rrugët në veriun e Kosovës.
“Ne nuk kemi provokuar askënd, as për një sekondë, përveç nëse disa njerëz e konsiderojnë provokim që ne i shohim njerëzit tanë në Kosovë si qytetarë të vendit tonë”, tha ai.
Presidenti serb theksoi se Serbia “dëshiron gjithmonë paqe me shqiptarët” dhe kërkoi “respektimin e të gjitha marrëveshjeve” të nënshkruara mes dy vendeve.
Në muajin dhjetor arrestimi i ish policit serb Dejan Panti, çoi në protesta të serbëve në veri, të cilët bllokuan rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë.
Përgjatë kohës së bllokadave tensionet ishin të larta dhe pati shtëna me armë zjarri dhe shpërthime pranë patrullave të forcave paqeruajtëse të KFOR-it të udhëhequra nga NATO-ja, Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e ligjit dhe gazetarëve.
Muaji janar pritet të jetë periudhë e përpjekjeve të reja diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje normalizimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe shmangien e ripërtëritjes së tensioneve ndërmjet tyre.
Presidenti serb tha se Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, do të vizitojë Beogradin më 11 ose 12 janar.
Zoti Chollet anuloi muajin e kaluar një vizitë në Ballkan dhe në Bruksel për shkak se doli pozitiv në testin për COVID-19.
Presidenti serb tha se më pas në rajon do të qëndrojnë edhe negociatorët evropianë në përpjekje për të përshpejtuar procesin e bisedimeve ndërmjet palëve në dritën e një propozimi që u bë i njohur si nisma franko-gjermane e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara e cila nuk parasheh njohjen e ndërsjellë por përfshinë propozimin që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.
“Ata veçse po sillen sikurse ky të ishte një propozim që nuk mund të refuzohet”, tha presidenti serb.
Në Prishtinë propozimi është cilësuar si “bazë e mirë për diskutime”./voa
Fraksion.com