AktualitetNATO/BETë fundit

VJTF reaguesi i parë i Alancës: Gjermania merr drejtimin për Forcën e Gatishmërisë së Lartë të NATO-s

Nga Mimoza Golikja

 

Të dielën e 1 janarit të 2023, Gjermania mori drejtimin e forcës ushtarake të gatishmërisë më të lartë të NATO-s, duke vendosur mijëra trupa në gatishmëri, dhe të gatshme për t’u vendosur brenda disa ditësh ku të jetë nevoja. Task Forca e Përbashkët e Gatishmërisë Shumë të Lartë të NATO-s (VJTF) u krijua në vitin 2014 në thelb të një Force Reaguese të përforcuar të NATO-s, pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Rusia dhe krizave në Lindjen e Mesme. Gjermania merr drejtimin nga Franca, e cila udhëhoqi forcën në vitin 2022. Në përgjigje të pushtimit të Ukrainës nga Rusia në shkurt të këtij viti, NATO dislokoi elementë të VJTF në Rumani në misionin e parë të njësisë për mbrojtjen kolektive. “Gjermania është një aleate e rëndësishme dhe ne falënderojmë atë për udhëheqjen e VJTF në vitin 2023”, tha zëdhënësja e NATO-s Oana Lungescu. “Ndërsa lufta e paligjshme e Rusisë në Ukrainë vazhdon të kërcënojë paqen dhe sigurinë në Evropë, nuk duhet të ketë asnjë dyshim për vendosmërinë e NATO-s për të siguruar dhe mbrojtur çdo centimetër të territorit aleat. VJTF është reaguesi i parë i NATO-s dhe një pjesë kyçe e mbrojtjes sonë kolektive. Udhëheqja e Gjermanisë është një shfaqje e fortë e angazhimit dhe aftësive të saj”, tha znj. Lungescu.

VJTF është elementi i gatishmërisë më të lartë të Forcës së Reagimit të NATO-s. Udhëheqja dhe anëtarësimi i VJTF drejtohet me rrotacion çdo vit midis aleatëve. Në vitin 2023, forcat tokësore të VJTF do të përbëhen nga rreth 11,500 mijë trupa, me Panzergrenadierbrigadën 37 në thelbin e saj. Në total, nëntë aleatë të NATO-s (Belgjika, Çekia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Gjermania, Holanda, Norvegjia, Sllovenia) do të kontribuojnë në të. Ndër njësitë kryesore janë Panzerbataillon 393 i Gjermanisë, (batalion tankesh); Artillerielehrbataillon 345, (Batalioni i Stërvitjes së Artilerisë); Versorgungsbataillon 131,(Batalioni i furnizimit) dhe Transporthubschrauberregiment 30 (Regjimenti i helikopterëve të transportit). Për herë të parë, Gjermania drejton gjithashtu komandën e Forcave Speciale të përcaktuara nga VJTF.

 Plani i Veprimit të Gatishmërisë, bazë e qëndrimit parandalues dhe mbrojtës i Aleancës

Plani i Veprimit të Gatishmërisë është një paketë gjithëpërfshirëse e masave të sigurimit dhe përshtatjes që janë pjesë e bazës së qëndrimit parandalues dhe mbrojtës të Aleancës. I rënë dakord në Samitin e Uellsit të vitit 2014, Plani i Veprimit të Gatishmërisë (RAP) ishte një shtytës thelbësor i përshtatjes ushtarake të NATO-s me mjedisin në zhvillim të sigurisë dhe filloi përforcimin më të rëndësishëm të mbrojtjes kolektive të NATO-s që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Në Samitin e Varshavës 2016, udhëheqësit e vendeve anëtare përshëndetën zbatimin e tij dhe ranë dakord për masa shtesë për të forcuar parandalimin dhe qëndrimin mbrojtës të NATO-s.

Masat e sigurimit  janë një seri aktivitetesh tokësore, detare dhe ajrore në, mbi dhe rreth territorit të aleatëve të NATO-s në Evropën Qendrore dhe Lindore, të dizajnuara për të përforcuar mbrojtjen e tyre, për të siguruar popullsinë e tyre dhe për të penguar agresionin e mundshëm. Këto masa janë rezultat i drejtpërdrejtë i aneksimit ilegal dhe të paligjshëm të Krimesë të Ukrainës nga Rusia. Ato përfshijnë një prani ushtarake në lindje të Aleancës dhe të gjithë aleatët e NATO-s po kontribuojnë në këto masa në bazë të rrotacionit. Masat mund të rriten ose zvogëlohen sipas nevojës, në varësi të situatës së sigurisë dhe që nga maji 2014, NATO ka rritur numrin e avionëve luftarakë në patrullimet e policisë ajrore mbi shtetet baltike dhe ka vendosur avionë luftarakë në Bullgari, Rumani dhe Poloni. Në dhjetor 2015, u ra dakord për një paketë të mëtejshme masash sigurie të përshtatura për Turqinë. Aleanca kryen fluturime të rregullta vëzhgimi AWACS mbi territorin e aleatëve të saj lindorë dhe fluturime të avionëve të patrullimit detar përgjatë kufijve lindorë të territorit aleat.

Për të ofruar siguri në det, NATO vendos një numër forcash detare shumëkombëshe si dy Grupe të Përhershme Kundërmasash të Minave të NATO-s që patrullojnë Detin Baltik dhe Mesdheun Lindor, dhe një Grup Detar të zgjeruar të NATO-s që kryen masa sigurimi detar përveç patrullimeve kundër terrorizmit. NATO ka rritur gjithashtu numrin e stërvitjeve që organizon. Stërvitjet ushtarake ofrojnë mundësi të rëndësishme për të përmirësuar aftësinë e aleatëve dhe partnerëve për të punuar së bashku dhe janë një demonstrim i vlefshëm i gatishmërisë së NATO-s për t’iu përgjigjur kërcënimeve të mundshme. Këto ushtrime zhvillohen në tokë, në det, në ajër dhe në hapësirën kibernetike me skenarë të bazuar në mbrojtjen kolektive dhe menaxhimin e krizave. Masat e sigurimit janë fleksibël dhe të shkallëzuar në përgjigje të situatës në zhvillim të sigurisë dhe mbahen nën shqyrtim vjetor nga Këshilli i Atlantikut të Veriut, organi kryesor vendimmarrës politik i NATO-s.

Masat e përshtatjes janë ndryshime afatgjata në forcat dhe strukturën komanduese të NATO-s, të cilat do ta bëjnë Aleancën më të aftë për të reaguar me shpejtësi dhe vendosmëri ndaj krizave të papritura. Këto përfshijnë Forcën e Reagimit të NATO-s (NRF), që është një forcë shumëkombëshe shumë e gatshme dhe e avancuar teknologjikisht e përbërë nga komponentë tokësorë, ajrorë, detarë dhe të Forcave të Operacioneve Speciale (SOF) që Aleanca mund t’i vendosë shpejt, kudo që të jetë e nevojshme. Në Samitin e Uellsit të vitit 2014, aleatët vendosën të përmirësojnë NRF-në për të forcuar mbrojtjen kolektive të Aleancës dhe për të siguruar që NATO të ketë forcat e duhura në vendin e duhur në kohën e duhur. NRF përbëhet nga rreth 40,000 personel, një rritje e madhe nga niveli i mëparshëm prej 13,000. Madhësia e saj varet nga detyra për të cilën nevojitet. Komandanti Suprem i Aleatëve në Evropë (SACEUR) ka komandën e përgjithshme të NRF-së. Çdo vit me rotacion, dy Komandat e Forcave të Përbashkëta të NATO-s (me bazë në Brunssum, Holandë dhe Napoli, Itali) kanë komandën operacionale të NRF-së. Kurse Task Forca e Përbashkët e Gatishmërisë Shumë të Lartë (VJTF), brenda NRF, është një “forcë majë shtize” prej rreth 20.000 trupash, nga të cilat rreth 5.000 janë forca tokësore, është në gjendje të fillojë vendosjen brenda dy deri në tre ditësh kudo që të jetë e nevojshme. Elementi tokësor VJTF mbështetet nga komponentët ajror, detar dhe SOF. Udhëheqja dhe anëtarësimi i VJTF dhe NRF rrotullohen midis aleatëve në baza vjetore. Forcat e VJTF dhe NRF janë të vendosura në vendet kryesore, por janë në gjendje të vendosen kudo që nevojiten për stërvitje, reagim ndaj krizave ose mbrojtje kolektive. VJTF, e cila mori pjesë në stërvitjen e saj të parë të vendosjes në Poloni në qershor 2015, testohet rregullisht gjatë stërvitjeve.

Ndërsa Njësitë e Integrimit të Forcave të NATO-s (NFIU) janë shtabe të vogla shumëkombëshe që lehtësojnë vendosjen e shpejtë të VJTF-së dhe forcave aleate pasuese. Secili prej tyre përbëhet nga rreth 40 specialistë kombëtarë dhe të NATO-s. Detyra e tyre është të përmirësojnë bashkëpunimin dhe koordinimin ndërmjet NATO-s dhe forcave kombëtare, si dhe të përgatisin dhe mbështesin stërvitjet dhe çdo vendosje të nevojshme. Si fillim, gjashtë NFIU u krijuan në Bullgari, Estoni, Letoni, Lituani, Poloni dhe Rumani dhe u inauguruan në shtator 2015, duke përbërë një prani të dukshme dhe të vazhdueshme të NATO-s në këto vende. Më pas, dy NFIU të tjera në Hungari dhe Sllovaki u inauguruan, përkatësisht, në shtator 2016 dhe janar 2017.

Shtabi i Korpusit Shumëkombësh Verilindor (HQ MNC-NE), në Szczecin, Poloni ofron një aftësi të gatishmërisë së lartë për të komanduar forcat e dislokuara në Shtetet Baltike dhe Poloni, nëse kërkohet. I themeluar nga Danimarka, Gjermania dhe Polonia, HQ MNC-NE ka katër detyra kryesore si komandimi i VJTF-së dhe NRF-së, ose elementeve të tyre, nëse dislokohen në rajonin verilindor të NATO-s; ushtrimin e kontrollit operacional mbi NFIU-të në Estoni, Hungari, Letoni, Lituani, Poloni dhe Sllovaki; monitorimin e situatës së sigurisë në rajon; dhe duke vepruar si një qendër rajonale për bashkëpunim. Shtabi i Divizionit Shumëkombësh Juglindor (HQ MND-SE) në Bukuresht, Rumani është në gjendje të komandojë forcat e dislokuara brenda rajonit juglindor të NATO-s, duke përfshirë VJTF dhe NRF, nëse është e nevojshme. Ai ekzekuton komandën dhe kontrollin mbi NFIU-të në Bullgari dhe Rumani. Ai gjithashtu monitoron situatën e sigurisë në rajon dhe vepron si një qendër për bashkëpunimin rajonal midis aleatëve. HQ MND-SE u inaugurua më 1 dhjetor 2015 dhe arriti aftësinë përfundimtare operacionale më 22 mars 2018. Përveç kësaj, RAP kërkon “një numër përmirësimesh logjistike”, duke përfshirë paracaktimin e pajisjeve dhe furnizimeve, për të rritur gatishmërinë e NATO-s për t’iu përgjigjur çdo sfide ndaj sigurisë së Aleatëve. Brenda Strukturës së Komandës së NATO-s u krijua një seli e re e grupit të përbashkët të mbështetjes logjistike.

Përgjigje e sfidave të reja të sigurisë

Në shtator 2014, në Samitin e NATO-s në Uells, aleatët miratuan Planin e Veprimit të Gatishmërisë për të siguruar që Aleanca të jetë gati për t’iu përgjigjur me shpejtësi dhe vendosmëri sfidave të reja të sigurisë. Plani ofron një paketë gjithëpërfshirëse masash për t’iu përgjigjur ndryshimeve në mjedisin e sigurisë në dhe afër Evropës dhe ndaj kërcënimeve që vijnë nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut. Kurse më 5 shkurt 2015, ministrat e Mbrojtjes të NATO-s vendosën që VJTF do të përbëhej nga një komponent tokësor prej rreth 5.000 trupash me njësi të përshtatshme ajrore, detare dhe SOF në dispozicion. Franca, Gjermania, Italia, Polonia, Spanja, Turqia dhe Mbretëria e Bashkuar ranë dakord të marrin rolet kryesore për VJTF-në me rotacion në vitet e ardhshme. Ministrat vendosën gjithashtu synimin për të pasur një VJTF të aftë operacionalisht deri në Samitin e Varshavës 2016, një synim që u arrit. Kurse në prill 2015, më shumë se 1.500 trupa morën pjesë në stërvitjen Noble Jump, e krijuar për të testuar nëse trupat e caktuar në VJTF të Përkohshme të NATO-s mund të ishin gati për t’u vendosur 48 orë pas marrjes së një urdhri për lëvizje. Ndërsa më 9 qershor 2015, VJTF u vendos për herë të parë në Poloni gjatë stërvitjes Noble Jump, ku morën pjesë mbi 2.100 trupa nga nëntë vende të NATO-s dhe më 24 qershor 2015, ministrat e Mbrojtjes të NATO-s morën vendime për komponentët ajror, detar dhe SOF të NRF-së së zgjeruar, duke rënë dakord që ajo mund të përbëhet nga deri në 40.000 personel. Gjithashtu u morën më tej masa për të përshpejtuar vendimmarrjen politike dhe ushtarake, duke përfshirë autoritetin për Komandantin Suprem të Aleatëve të NATO-s në Evropë për të përgatitur trupat për veprim sapo të merret një vendim politik. Aleatët miratuan gjithashtu një mjet të ri planifikimi paraprak, “Graduated Response Plans”, duke mundësuar që planet e operacioneve të ekzekutueshme të gjenerohen jashtëzakonisht shpejt, në përpjesëtim me kërkesat e gatishmërisë së forcave. Aleatët ranë dakord gjithashtu për krijimin e një shtabi të ri të grupit të përbashkët të mbështetjes logjistike brenda Strukturës së Komandës së NATO-s. Më në fund, ministrat e Mbrojtjes ranë dakord që në tetor do të vendosnin për ngritjen e selisë së re të NFIU-së, përveç gjashtë selive ekzistuese shumëkombëshe të NFIU-së. Në shtator 2015, NFIU-të u inauguruan në Bullgari, Estoni, Letoni, Lituani, Poloni dhe Rumani dhe në tetor 2015, ministrat e Mbrojtjes të NATO-s i dhanë dritën jeshile konceptit të plotë ushtarak për NRF-në e zgjeruar, duke përfshirë rregullimet e komandës dhe kontrollit të saj. Ata ranë dakord gjithashtu për të krijuar dy NFIU të tjera në Hungari dhe Sllovaki. Kurse në dhjetor 2015, NATO përuroi Shtabin e Divizionit Shumëkombësh Juglindor në Bukuresht, duke shënuar integrimin e saj zyrtar në Strukturën e Komandës së NATO-s. Shtabi i ri me gatishmëri të lartë është në gjendje të komandojë forcat e dislokuara brenda rajonit juglindor të NATO-s, duke mbështetur mbrojtjen e Aleancës. Është gjithashtu një qendër për bashkëpunimin rajonal midis aleatëve. Në korrik 2016, në Samitin e Varshavës, aleatët mirëpritën zbatimin e Planit të Veprimit të Gatishmërisë, pohuan se masat e tij të sigurimit dhe përshtatjes do të vazhdonin të formonin bazën e qëndrimit parandalues dhe mbrojtës të Aleancës, dhe ranë dakord ta forcojnë më tej këtë qëndrim. RAP i ofron Aleancës një gamë të gjerë opsionesh për të qenë në gjendje t’i përgjigjet çdo kërcënimi nga kudo që ato lindin për të mbrojtur territorin e Aleancës, popullsinë, hapësirën ajrore dhe linjat detare të komunikimit. Dy NFIU-të e fundit në Hungari dhe Sllovaki u inauguruan, përkatësisht, më 18 nëntor 2016 dhe 24 janar 2017.

Në Samitin e Brukselit 2018, udhëheqësit e NATO-s përsëritën vendosmërinë e tyre për të forcuar gatishmërinë, reagimin dhe përforcimin e Aleancës për t’iu përgjigjur kërcënimeve nga çdo drejtim në një qasje 360 gradë. Nisma e Gatishmërisë së NATO-s, u fillua për të rritur aftësinë e Aleancës për reagim të shpejtë, qoftë për përforcimin e aleatëve në mbështetje të parandalimit ose të mbrojtjes kolektive, duke përfshirë luftime me intensitet të lartë, ose për ndërhyrje të shpejtë në krizë ushtarake, nëse kërkohet. Që atëherë, aleatët janë zotuar të ofrojnë 30 batalione të mekanizuara, 30 skuadrone ajrore dhe 30 luftanije të gatshme për t’u përdorur brenda 30 ditëve ose më pak dhe po punojnë për të ndërtuar dhe ruajtur nivelin e gatishmërisë së këtyre forcave dhe për t’i organizuar ato në formacione më të mëdha. Në Samitin e Brukselit të vitit 2021, aleatë përshëndetën përparimin e rëndësishëm të bërë në zbatimin e vendimeve të tyre të mëparshme për të forcuar qëndrimin parandalues dhe mbrojtës të NATO-s dhe riafirmuan angazhimin e tyre për zbatimin e plotë dhe të shpejtë të këtyre vendimeve.

Pas pushtimit brutal dhe të paprovokuar të Rusisë në shkallë të gjerë të Ukrainës në vitin 2022, aleatët morën hapa të mëtejshëm për të forcuar qëndrimin parandalues dhe mbrojtës të NATO-s, duke përfshirë vendet anëtare të NATO-s në lindje të Aleancës. Këto hapa kanë përfshirë aktivizimin e planeve të mbrojtjes të NATO-s, vendosjen e elementeve të NRF-së, krijimin e grupeve luftarake shumëkombëshe shtesë dhe vendosjen e 40.000 trupave në krahun lindor të Aleancës, së bashku me asetet e rëndësishme ajrore dhe detare, nën komandën e drejtpërdrejtë të NATO-s të mbështetur nga dislokimet kombëtare të aleatëve. Këto masa të cilat mbeten parandaluese, proporcionale dhe joshkallëzuese, sigurojnë sigurinë dhe mbrojtjen e të gjithë aleatëve në të gjitha fushat dhe me një qasje 360 gradë.

 

Fraksion.com