Tabaku: Qeveria, asnjë zgjidhje për sipërmarrjen në kohë krize
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku deklaroi sot se qeveria nuk ka asnjë zgjidhje për sipërmarrjen në kohë krize.
Në një postim në rrjete sociale, Tabaku ngriti shqetësimin e situatës së krizës ekonomike në vend dhe kërkoi që qeveria të ofrojë zgjidhje.
Sipas Tabakut, 90% e bizneseve mbijetojnë në një treg të monopolizuar.
“Biznesi kërkon oksigjen kurse qeveria vazhdon të jetë ajo e pakicës. Kriza ka goditur familjet dhe sipërmarrjet shqiptare. Qeveria nuk ka asnjë zgjidhje për sipërmarrjet në këtë kohë krize të thellë. Reforma strukturore që t’i shërbejnë biznesit. Reforma që çlirojnë tregun nga pengesat e padobishme. Ndihmë ekonomike për biznesin e goditur nga kriza. Ndihmë sipërmarrjes së vogël dhe të mesme. 90% e bizneseve mbijetojnë në një treg të monopolizuar dhe nën pasojat direkte të politikave fiskale të qeverisë së pakicës. Ende presim nga fondet e BE për të ndihmuar sipërmarrjet tona ndërsa buxheti shkon tek një grusht njerëzish që janë pakica”, shkruan Tabaku.
Fraksion.com