Rama: Programi i Kodimit, çelësi për tregun global online me paga të larta
Kryeministri Edi Rama shprehu sot bindjen se laboratorët smart dhe hyrja në mësimin e gjuhës digjitale qysh në klasën e parë do ta kthejnë hap pas hapi Shqipërinë në një hapësirë shembullore punësimi cilësor për të rinjtë.
Ndërkohë, Kryeministri theksoi se “programi i ri vjetor i Kodimit do t’u japë brenda një kohe të shkurtër të rinjve të përfshirë, çelësin për të hyrë në tregun global online me paga të larta”.
Rama ndau në rrjetet sociale foton e një shënimi të mbajtur gjatë mbledhjes me ministrat e kabinetit qeveritar.
Sipas tij, deri tani janë realizuar 100 laboratorë smart, ndërsa janë në proces edhe 884 të tjerë.
Brenda vitit 2024, parashikohet ngritja në total e 984 laboratorëve për revolucionin digjital.
Prej ditës së djeshme, Kryeministri po zhvillon një diskutim maratonë me ministrat e kabinetit qeveritar, ku po analizohen arritjet gjatë vitit të shkuar si dhe po diskutohet mbi projektet konkrete për vitin 2023.
Fraksion.com