Rama: 2023 më pranë njerëzve duke u nisur nga ata më në nevojë
Rama ndau në rrjetet sociale videon nga momentet e fundit të mbledhjes, e cila zgjati 16 orë e 25 minuta.
“Maratona e diskutimit të fillimvitit në qeveri sapo mbaroi pas 16 orë e 25 minutash, ku kaluam në skaner çdo sektor për vitin që sapo iku dhe debatuam e miratuam objektivat konkretë të këtij Viti të Ri, i cili do të jetë një vit më pranë njerëzve, duke u nisur gjithnjë nga ata më në nevojë”, shkroi Rama.
“Sipas llogarisë që bëj unë dje kemi filluar në orën 4 dhe kemi mbaruar në orën 8 e 20, bëjnë 4 orë e 20. Sot kemi filluar në orën 09:07 dhe sa është ora tani 21:12. Që i bie 12 orë e 5 minuta. Plus 4 orë e 20 minuta që në total bëjnë 16 orë e 25 minuta”, u shpreh Rama.
Rama falënderoi më pas ministrat për raportimet e tyre konstruktive.
“Ju falënderoj sepse qëndruat, jo vetëm heroikisht, por edhe në mënyrë shumë aktive, konstruktive. Gëzuar edhe njëherë Vitin e Ri 2023. Qoftë shumë më i mbarë se 2022-i. Dhe mbi bazat e 2022-it kemi arsye të besojmë që 2023-in do ta bëjmë tërmet”, theksoi Rama.
Fraksion.com