Perëndimi do t’i dhurojë Ukrainës autoblinda
Përderisa luftimet po vazhdojnë në rajonin pjesërisht të pushtuar ukrainas, Donjeck, aleatët perëndimorë të Kievit duket se po lëvizin drejt ofrimit të autoblindave të avancuara për ushtrinë ukrainase.
Përmes përditësimit ditor lidhur me luftën, më 5 janar ushtria ukrainase tha se mbi 800 ushtarë rusë janë vrarë apo plagosur, shumica e të cilëve gjatë luftimeve në qytetin e Bahmutit dhe në zona të tjera të rajonit lindor ukrainas të Donjeckut.
Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur që të verifikojë në mënyrë të pavarur këto shifra të ofruara nga ushtria ukrainase.
Teksa luftimet e ashpra po vazhdojnë, presidenti amerikan, Joe Biden, më 4 janar konfirmoi se Uashingtoni po e shqyrton mundësinë e dërgimit në Ukrainë të makinave luftarake të këmbësorisë, Bradley. Makina M2 Bradley është përdorur nga ushtria amerikane që nga viti 1981 dhe SHBA-ja ka mijëra makina të tilla në dispozicion.
Në ditët në vijim, Uashingtoni pritet të njoftojë për paketën e re të ndihmës për Ukrainën.
Komentet e Bidenit vijnë pasi një ditë më herët, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, zhvilloi një bisedë telefonike me homologun francez, Emmanuel Macron. Gjatë kësaj bisede, Franca zbuloi se do t’i dhurojë Ukrainës makina të blinduara të llojit AMX-10 RC.
Reuters citoi një zyrtar të paidentifikuar francez të ketë thënë se “kjo është hera e parë që makina të blinduara, të prodhuara në Perëndim, po i jepen ushtrisë ukrainase”. Megjithatë, për këto dërgesa nuk dihen më shumë detaje.
Më herët, Australia i ka dhunuar Ukrainës 90 makina të llojit Bushmaster. Këto makina të blinduara janë kundër minave tokësore.
Kievi ka kërkuar nga qeveritë perëndimore që t’i dhurojnë makina të rënda të blinduara, veçanërisht makinat e prodhimit amerikan, Abrams, dhe tanket luftarake gjermane, Leopard.
“Nuk ka asnjë arsye që Ukraina ende nuk është furnizuar me tanke perëndimore”, ka shkruar Zelensky në Twitter.
Një zyrtar i lartë amerikan tha më 4 janar se luftimet përreth Bahmutit janë “ende intensive” dhe parashikoi që luftimet “do të vazhdojnë edhe gjatë muajve në vijim”.
Zyrtarët ukrainas ditëve të fundit kanë paralajmëruar se Rusia po përgatitet për ofensiva të reja, teksa pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës po i afrohet njëvjetorit.
“Ka shumë tregues që na japin arsye të themi se ata do të bëjnë edhe një përpjekje në shkurt”, tha Oleksiy Danilov, sekretar i Këshillit të Sigurisë së Ukrainës.
Ndërkaq, zëvendësministrja ukrainase e Mbrojtjes, Hanna Malyar, tha se për shkak të numrit të lartë të viktimave nga luftimet intensive që po vazhdojnë, Rusia ka të ngjarë që të nisë një mobilizim të dytë ushtarak në çerekun e parë të këtij viti.
Në dhjetor, presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi se nuk ka nevojë për mobilizim të mëtejmë.
Fraksion.com