Vuçiq: Javën e ardhshme Chollet do të vizitojë Beogradin
Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, do të vizitojë Beogradin më 11 ose 12 janar, njoftoi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
“Besoj në krijimin e raporteve më të mira me Shtetet e Bashkuara. Të shohim se si do të shkojë. Nuk do të jetë një bisedë e lehtë, por besoj se ne mund të flasim”, tha Vuçiq gjatë një konference për media.
Chollet kishte anuluar një vizitë në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe në Bruksel në dhjetor për shkak se doli pozitiv për koronavirus.
“Pas kësaj, unë pres arritjen e të gjithë këtyre ekspertëve nga Evropa”, shtoi ai.
Zyrtarët amerikanë dhe evropianë do të qëndrojnë në Beograd në përpjekje për të përshpejtuar procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Kosovës dhe Serbisë u është ofruar një propozim franko-gjerman në emër të Bashkimit Evropian. Ky propozim ka mbështetjen edhe të Shteteve të Bashkuara.
Ky dokument nuk është bërë publik, por u është prezantuar të dyja palëve.
“Ata veçse po sillen sikurse ky të ishte një propozim që nuk mund të refuzohet”, tha Vuçiq, duke insistuar se ky ende është draft-dokument.
I pyetur se cila do të ishte zgjidhja e pranueshme për Beogradin, Vuçiq tha se Serbia i përmbahet Kushtetutës së saj.
“Ne jemi të gatshëm të diskutojmë për zgjidhje të panumërta kompromisi”, shtoi ai.
Vuçiq po ashtu tha se Serbia do ta kundërshtojë pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Në maj, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Vuçiq po ashtu foli për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës, duke pretenduar se janë në pritje që shteti i dhjetë të tërheqë njohjen, por pa specifikuar se për cilin shtet bëhet fjalë.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës thotë se vendin deri më tani e kanë njohur 106 vende./REL
Fraksion.com