AktualitetBota+Të fundit

Irani, akuza për spiunazh dy shtetasve francezë dhe një shtetasi belg

Irani ka ngritur akuza ndaj dy shtetasve francezë dhe një shtetasi belg për spiunazh dhe për veprimtari kundër sigurisë kombëtare të vendit, njoftoi Rrjeti gjysmë-zyrtar i Lajmeve Studentore, që citonte të martën një zëdhënës të gjyqësorit.

Nuk u bënë të ditur emrat e këtyre tre personave, si dhe nuk u dhanë detaje se ku dhe kur u ngritën akuzat.

Ministri i drejtësisë i Belgjikës tha muajin e kaluar se një punonjës belg i ndihmave, Olivier Vandecasteele, ishte dënuar me 28 vite burgim në Iran, bazuar në ato që i quajti “një seri veprash penale të sajuara”.

Në tetor, mediat iraniane transmetuan një video ku dy shtetas francezë dukej se po rrëfenin se kishin bërë spiunazh, gjatë periudhës së trazirave për të cilat Teherani fajësoi armiqtë e jashtëm.

Ministri i jashtëm francez tha në nëntor se po mbahen në Iran shtatë shtetas francezë, një shenjë kjo e përkeqësimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Republika Islamike ka akuzuar armiqtë e huaj për nxitjen e një vale trazirash që filloi tre muaj më parë pas vdekjes së 22 vjeçares kurde-iraniane Mahsa Amini, ndërsa mbahej nën arrest nga policia e moralit për shkelje të rregullave të detyrueshme për veshjen.

Protestat shënuan nga një sfidat më të guximshme ndaj udhëheqjes iraniane, që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979. Protestave iu bashkuan iranianë nga të gjitha shtresat e shoqërisë.

 

Fraksion.com