AktualitetKosovaTë fundit

Pronari qëllon me armë të rinjtë nga Kukësi

31-vjeçari Visart Cengu që shihni në foto, bashkë me 2 miqtë e tij Rutget Shehu dhe Arben Basha, kishin shkuar në Prizren natën e dytë të Vitit të Ri për të festuar.

Por një sherr me stafin dhe pronarin e lokalit të natës përfundoi në përdorimin e armës dhe për pasojë 31-vjeçari nga Kukësi humbi jetën, ndërsa miku i tij Rutget Shehu mbeti i plagosur rëndë.

Cengu sipas Policisë humbi jetën gjatë rrugës, duke u transportuar në Spitalin e Kukësit nga Arben Basha, ndërsa Shehu pasi mori ndihmën e parë në spitalin rajonal u dërgua në Tiranë ku gjendet jashtë rrezikut për jetën.

Sherri sipas mediave kosovare, të cilat i referohen Prokurores së Mitrovicës, Nazan Shero, dyshohet se ka nisur për shkak të faturës prej 400 Euro të lëshuar nga lokali për 3 të rinjtë.

Fillimisht ata janë konfliktuar fizikisht dhe më pas teksa kanë tentuar të largohen me makinë dyshohet se janë qëlluar me armë zjarri nga pronari i lokalit Dibran Hoxhaj, i cili njihet edhe me nofkën “Kobra”.

Ngjarja u bë e njohur fillimisht nga Policia e Kukësit, e cila është duke kryer veprime hetimore për llogari të autoriteteve të Kosovës, të cilat nga ana e tyre bën arrestimin e Hoxhajt.

Ky i fundit rezulton të jetë një person me precedent të mëparshëm penal, ndërsa ka qenë i dënuar për vrasje, trafik droge dhe përleshje.

 

Fraksion.com