AktualitetRajoniTë fundit

Maqedonia e Veriut merr kryesimin e OSBE-së

Nën sloganin ”Për njerëzit bëhet fjalë“ Maqedonia e Veriut mori zyrtarisht presidencën e radhës në OSBE. Në fokus të presidencës do të jetë Ukraina dhe ulja e tensioneve, sipas ministrit të Jashtëm Bujar Osmani. 

Maqedonia e Veriut ka marrë zyrtarisht kryesimin e OSBE-së, organizatës më të madhe rajonale për sigurinë dhe bashkëpunimin, e cila përfshin 57 shtete pjesëmarrëse nga Evropa, Azia Qendrore dhe Amerika e Veriut. Forcimi i aktiviteteve në terren do të jetë prioriteti kryesor i kryesimit të Maqedonisë së Veriut me OSBE-në, ka thënë ministri i punëve të jashtme të Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani. “Nën sloganin ‘Për njerëzit bëhet fjalë’ fokusi i presidencës së Maqedonisë së Veriut do të vendoset në sigurinë njerëzore në një epokë të pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë rajonale dhe globale. Fokusi ynë, si vend kryesues, do të jenë misionet në terren. Do të ndërmarrim dhe mbështesim aktivitete konkrete me qëllim lehtësimin e jetës së njerëzve, avancimin e të drejtave dhe lirive të tyre”, është shprehur ministri i Jashtëm, Bujar Osmani.

Osmani: Ukraina do të jetë çështja kryesore gjatë kryesimit tonë me OSBE-në

Ukraina do të jetë prioriteti dhe çështja kyçe gjatë kryesimit të RMV-së. Agresioni i papërgjegjshëm dhe joprovokues ushtarak rus kundër Ukrainës e gropos arkitekturën e sigurisë evropiane dhe kërcënon paqen dhe stabilitetin në kontinent dhe më gjerë, u shpreh kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani. “Kryesimi ynë do të ketë për qëllim të mbajë funksionet thelbësore dhe operacionet e organizatës, duke siguruar se është në gjendje të mbështesë rajonet e përfshira me kriza dhe të menaxhojë me konfliktet nëpër rajonin e OSBE-së. Mungesa e stabilitetit rajonal dhe potenciali për kriza të reja kërkojnë kujdes të vazhdueshëm”, ka potencuar Osmani.

Në kushtet e luftës në rajonin e OSBE-së dhe marrëdhënieve politike komplekse mes vendeve pjesëmarrëse, RVM si kryesuese e OSBE do të fokusohet në uljen e tensioneve, rikthimin e besimit, prosperitetin dhe sigurinë e njerëzve në përgjithësi, është shprehur Osmani. Profesori i të drejtës ndërkombëtare Vasko Naumovski vlerëson se kryesia e OSBE-në është një rast i mirë për diplomacinë maqedonase.”Maqedonia e Veriut si kryesuese e OSBE-së nuk mund të jetë faktor determinues për konfliktin ushtarak Rusi-Ukrainë, por ajo mund të ketë rezultate evidente në zgjidhjen e konlikteve dhe mosmarrëveshjeve në rajon siç është rasti mes Serbisë dhe Kosovës dhe sfidave të paralajmëruara në Bosnjë e Hercegovinë”, vlerëson Naumovski.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Enver Hoxhaj, pas marrjes së kryesisë nga Maqedonia e Veriut është shprehur, se kryesimi i OSBE-së për vitin 2023 nga Maqedonia Veriore forcon pozicionin e Ballkanit Perëndimor në Evropë. “Ky hap i madh dhe i rëndësishëm forcon pozicionin e tërë Ballkanit Perëndimor në Evropë, sidomos në këto kohë të ballafaqimit me Rusinë, e cila po kërcënon çdo ditë e më shumë paqen evropiane dhe rajonale”, ka thënë Hoxhaj. Maqedonia e Veriut do të kryesojë OSBE-në gjatë vitit 2023 ndërsa programi i kryesimit do të prezantohet nga ana e ministrit Bujar Osmani para këshillit të përhershëm në Vjenë më 12 janar./dw

 

Fraksion.com