AktualitetLife StyleTë fundit

Dëshmia ish-ministrit të Brendshëm: Lad Shehu më fliste kundër Enverit dhe drejtimit idiot të ekonomisë

Ladi, apo gjatë, Vladimir Mehmet Shehu, duhet të bëhet qytetar nderi i Durrësit. Dhënia e këtij titulli Ladit, pas vdekjes, nderon kryesisht Durrësin, dhe konkretisht kryetarin e Bashkisë dhe këshillin bashkiak të Durrësit, të cilët do ta kryejnë këtë formalitet. Ladi praktikisht e ka këtë titull, së paku për shumicën e durrsakëve që e dinë historinë e qytetit të tyre, në vitet 1970-’80-të. E thënë shkurt: Ladi dha kontributin kryesor që në Durrës të ngrihej një qendër studimore dhe një uzinë moderne e prodhimit të pajisjeve elektronike, ku u arrit të punësohen, për mbi 20 vjet rresht, mbi 750 punonjës në vit. Ladi ishte 23 vjeç kur filloi punën në URT (Uzina e Radio-televizorëve Durrës, që në atë kohë, në vitin 1969, quhej U.E.M. (Uzina Elektro-Mekanike Durrës).

Ishte një inxhinier elektronik që sapo kishte mbaruar universitetin, me një pasion të madh për dije dhe për punë. Menjëherë, brenda më pak se dy vjetëve, ai arriti të mbledhë rreth vetes inxhinierë dhe specialistë të talentuar. Ai, Ladi, induktoi principin e zgjedhjes së njerëzve të aftë, pavarësisht se mund të kishin edhe cene biografike.

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri

I tillë isha dhe unë që po i shkruaj këto radhë, “me cen biografik”, por edhe shumë të tjerë, “edhe më keq se unë”. Flitet për kohën e egër të komunizmit, kur lufta e klasave bënte kërdinë, kur si kërkesë e parë për, vendosjen e një njeriu në punë, ishte ana politike, pra qëndrimi i tij pro komunizmit, por edhe i gjithë familjes së tij, bile një periudhë u pat thënë se “do të shihet biografia deri në 7 brez”.

Kjo politikë përpunohej nga Enver Hoxha, por edhe nga babai i Ladit, kryeministri Mehmet Shehu.  E Ladi po vepronte jo sipas mësimeve të babait të vet, por sipas logjikës teknike dhe njerëzore. Një nga akuzat që iu pat bërë kur u vra i ati i Ladit (viti 1981), ishte: “Ladi është teknicien dhe nuk ka zhvilluar luftën e klasave”. Prodhimi i radiove dhe televizorëve, kishte filluar në Durrës, para se Ladi të fillonte punë aty.

Por ishte një prodhim i vogël, krejt artizanal, dhe me shumë ngarkesa amatorizmi. Merita e Ladit ishte se, duke punuar vetë, por edhe duke mbështetur punën e kolegëve, arriti që brenda pak vjetëve, të bënte që të kalohej në një uzinë moderne.  Uzina filloi jo vetëm të bënte montimin përfundimtar të radiove dhe televizorëve, por edhe të prodhojë shumë pjesë të tyre, dhe shumë pajisje të tjera elektronike, si kompjuter, pajisje automatike, pajisje për ushtrinë, etj.

 

 

Ladi kishte frymën e së resë. Ai e shfrytëzoi faktin se ishte i biri i kryeministrit, për të zhvilluar URT-në, që ishte një ndërmarrje e Durrësit.  Fonde pafund, i’u akorduan nga qeveria, URT-së.  Ajo u bë aq “e dashur”, saqë filloi të kishte shumë kërkesa që uzina të zhvendosej në Tiranë. Ishte kryesisht insistimi i Ladit, që ajo i mbeti Durrësit. Po Ladit i dedikohet përgatitja e veçantë e inxhinierëve dhe specialistëve që punuan në URT-në e Durrësit.

Ishte fryma e tij perëndimore që i’u kundërvu mbylljes komuniste të kohës. Ai arriti të porosisë shumë literaturë perëndimore, kryesisht amerikane, që na transformoi, me plot kuptimin e fjalës, shumë prej nesh që punuam me të. Por ishte jo vetëm literatura, por edhe vizitat e specialistëve të huaj në URT, si dhe vizitat e specialistëve tanë jashtë shtetit, që formuan atë ambient, që na jep të drejtën ta quajmë URT-në edhe një qendër studimore e kohës.

Ladi krijoi një ishull “perëndimor”, URT-në, në Shqipërinë ku sundonte një izolim tërësor nga bota. E gjithë kjo, kishte në bazë të vet, botëkuptimin perëndimor që kishte Ladi. Ai shpesh më fliste mua personalisht, natyrisht në konfidencë, deri dhe kundër principeve bazë të komunizmit, kundër enverizmit, kundër drejtimit idiot të ekonomisë në Shqipërinë e viteve 1970-‘74, kohë kur unë kisha me të miqësi të ngushtë.

Por edhe shumë kolegë të tjerë, çuditeshin sesi kishte mundësi që i biri i krye-komunistit Mehmet Shehu, të ishte kaq filo-perëndimor, kaq i lirë. Por idetë perëndimore të Ladit, shpreheshin jo vetëm në punët e Uzinës, por edhe në letërsi, në histori, në muzikë, në art, etj. Prej tij kemi arritur të lexonim shumë libra që, shqiptarët e tjerë zor se mund t’i gjenin në atë kohë.

Kemi dëgjuar muzikë me mjete moderne të kohës. Dikujt mund t’i duket se nuk lidhet fare p.sh., letërsia me inxhinierinë apo ekonominë. Jo, këtu bëjmë fjalë për botëkuptim, për mendësi, që krijonin një kompleks të njeriut të lirë, në një regjim përbindësh, siç ishte ai komunist ku jetonim, Ladi dhe ne. E pa qenë një njeri i lirë, Ladi nuk mund të kishte bërë për Durrësin, ato që bëri.

Ishte njeri i lirë dhe perëndimor Ladi, prandaj e vrau komunizmi. Po, e vrau komunizmi, pavarësisht se edhe mund të ketë kryer vetëvrasje, sepse qe komunizmi që e shtyu ta bënte. Enver Hoxha e dinte se sa njeri i lirë që ishte Ladi, prandaj edhe sajoi atë farsën me “djalin e Mehmetit, që kishte prodhuar një radio speciale për t’u lidhur me amerikanët”.

Shumë nga ne të URT-së, e dinim se “ajo radio speciale”, ishte thjesht një prodhim eksperimental që, Ladi e bënte për mbrojtjen e studimit të tij për marrjen e doktoratës. Nejse, mos të ndalojmë në hollësi. Natyrisht që mund të ketë ndonjë ziliqar nga ndonjë shoqatë që, e quan veten të Durrësit, që do të thotë “ai nuk ishte Durrsak”!

Jo, Ladi ishte durrsak e kaluar shumë durrsakëve që mburren se paskan ardhur në Durrës, “jo në 1970-ën, por në 1968-ën”, e të tjera mëtime të tilla që, synojnë veç që të zvogëlojnë konkurrencën për nderimin e njerëzve që i kanë dhënë Durrësit.

Apo, mund të dalë ndonjëri e të thotë: “Përse, të birin e një krye-komunisti do ta bëjmë qytetar nderi”! Do t’i thosha: mos u bëj hipokrit, se Durrësi ka bërë “qytetar nderi” vetë krye-komunistët!

T’ua lemë lidhjen e bijve, me biografitë e prindërve, komunizmit, e mos ta përcjellim atë murtajë, luftën e klasave, në post komunizëm. E fundit, por jo më pak e rëndësishmja. Janë me mijëra durrsakë që e kanë njohur Ladin, dhe është detyrë e tyre që të shprehen, qoftë dhe me shkrime në gazetën e mirënjohur të Durrësit “Bulevard” etj., që Ladit t’i jepet minimumi: titulli “Qytetar nderi i Durrësit”. Memorie.al

 

Fraksion.com