OKB ndërpret disa programe në Afganistan, pas ndalimit për punonjëset e ndihmave
Kombet e Bashkuara thanë të mërkurën se disa programe “kritike” për Afganistanin janë ndalur përkohësisht dhe paralajmëruan se edhe shumë aktivitete të tjera ka të ngjarë që të ndërpriten për shkak të një ndalimi nga administrata e udhëhequr nga Talibanët për punonjëset e ndihmave.
Shefi i OKB-së për ndihmat, Martin Griffiths, krerët e agjencive të OKB-së dhe disa grupe ndihmash thanë në një deklaratë të përbashkët se “pjesëmarrja e grave në shpërndarjen e ndihmave është e panegociueshme dhe duhet të vazhdojë”, duke u bërë thirrje autoriteteve të anulojnë vendimin.
“Ndalimi i grave nga shërbimi humanitar ka pasoja të menjëhershme kërcënuese për jetën e të gjithë afganëve. Tashmë, disa programe kritike duhet të ndërpriten përkohësisht për shkak të mungesës së personelit që përbëhet nga gratë,” thuhet në deklaratë.
“Ne nuk mund të shpërfillim kufizimet operacionale me të cilat përballemi si komunitet humanitar. Ne do të përpiqemi të vazhdojmë aktivitetin për të shpëtuar jetë. Por parashikojmë se shumë aktivitete do të duhet të ndërpriten pasi ne nuk mund të ofrojmë ndihmë humanitare parimore pa punonjëse gra”, vazhdon deklarata.
Ndalimi për punonjëset e ndihmave femra u njoftua nga administrata islamike e udhëhequr nga talebanët të shtunën. Ai vjen pas një ndalimi të vendosur javën e kaluar për studimet universitare për gratë. Vajzat u ndaluan të ndiqnin shkollën e mesme në mars.
Fraksion.com