AktualitetBota+Të fundit

Medvedev: SHBA-të do të zgjedhin Elon Musk si president!

Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev, një besnik i Vladimir Putinit, i cili mori një detyrë të re këtë javë, parashikoi se vitin e ardhshëm do të ketë luftë midis Gjermanisë dhe Francës ndërsa në Shtetet e Bashkuara do të ketë një luftë civile që do të çonte në zgjedhjen e Elon Muskut si president.

Zoti Medvedev, nënkryetari i këshillit rus të sigurisë, shërbeu si president gjatë një periudhe katërvjeçare kur zoti Putin mbante postin e kryeministrit. Ai duket se është ngritur përsëri në detyrë në Kremlin, i cili njoftoi të hënën se ai tashmë do të shërbente si zëvendës i zotit Putinit në një organ që mbikëqyr industrinë ushtarake.

Në listën e tij të parashikimeve për vitin 2023, të publikuar në llogaritë e tij personale në Telegram dhe Twitter, zoti Medvedev parashikoi gjithashtu ribashkimin e Britanisë në BE-në, e cila sipas tij, nga ana tjetër do të shpërbëhet.

Elon Musk, iu përgjigj sugjerimit se ai do të zgjidhej si president i SHBA-së duke postuar në Twitter “Mesazh Epik!!”, por ai kritikoi gjithashtu disa nga parashikimet e zotit Medvedev. Ky i fundit e ka lavdëruar zotin Musk për propozimin e bërë në të kaluarën që Ukraina t’i japë Rusisë territor, në këmbim të një marrëveshje paqeje.

Që nga sulmi i Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt, zoti Medvedev është rishfaqur në skenën politike si një mbështetës i veprimeve ushtarake, duke e paraqitur konfliktin në terma apokaliptikë dhe fetarë dhe duke iu referuar ukrainasve si “buburreca”, një gjuhë që Kievi thotë se është haptazi thirrje për gjenocid. Javën e kaluar ai bëri një vizitë të rrallë në Kinë, duke zhvilluar bisedime mbi politikën e jashtme me presidentin Xi Jinping.

Analisti politik Vladimir Pastukhov tha se qasja e re dhe e zëshme e zotit Medvedev, duket se kishte gjetur pëlqimin e shefit të tij.

“Postimet në Telegram të Medvedevit kanë të paktën një lexues, dhe në të vërtetë një admirues: Putinin,” shkruante Pastukhov, profesor i shkencave politike në Kolegjin Universitar të Londrës, në llogarinë e tij në Telegram.

 

Fraksion.com