KGJK-ja dhe KPK-ja i reagojnë Kurtit për Pantiqin
Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, në reagime të ndara, kanë shprehur shqetësim për “kërkesën e kryeministrit Albin Kurti për t’u informuar me emrin e gjyqtarit”, i cili ka marrë vendim ligjor për ndërrimin e masës së ish-policit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.
Kurti gjatë një konference për media më 28 dhjetor tha se është “shumë kureshtar të kuptoj se cili është ai prokuror që bën këtë kërkesë e cili është ai gjyqtar i procedurës paraprake që e aprovon”.
KGJK thotë se “gjyqtarët janë dhe duhet të jenë të pavarur gjatë ushtrimit të detyrave të tyre kushtetuese dhe ligjore, ndërsa tendencat për ndërhyrje janë të papranueshme dhe si të tilla i dënojmë fuqishëm”.
Ky organ i drejtësisë thotë se “publikisht e informon kryeministrin Kurti se bazuar në Kushtetutë dhe Ligj, personi zyrtar kompetent që ka marr këtë vendim quhet Gjyqtar i Republikës së Kosovës, vendimet e të cilit duhet të respektohen pa i komentuar, pa përjashtim, përfshirë edhe Qeverinë”.
Ndërsa, KPK-ja thotë se “reagimet e tilla të kryeministrit Kurti dhe vartësve të tij janë tendencë për ndërhyrje në punët dhe pavarësinë e sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës”.
Ky institucion thotë se kërkesa e Kurit, përveç që ndikon në punën e pavarur të prokurorit, mund të nxisë edhe reagime që do mund të rrezikojnë jetën e tij.
Kundër vendimit për Pantiqin u shpreh edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila e cilësoi si “aktin më të rëndë që mund t’i bëhej vendit nga institicionet që do të duhej të ishin shembulli më i mirë i mbrojtjes së qytetarëve dhe rendit tonë kushtetues”.
Prokuroria Speciale e Kosovës konfirmoi të mërkurën se Pantiqit i është ndryshuar masa e sigurisë, nga paraburgimi në arrest shtëpiak, dhe tha se ky ndryshim u bë për shkak të gjendjes shëndetësore të ish-policit serb.
Arrestimi i Pantiqit, nxiti ngritjen e barrikadave në veri të Kosovës. Barrikadat u vendosën nga disa serbë lokalë, duke bllokuar rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën me Serbinë.
Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – ka paraqitur disa kushte për largimin e barrikadave, dhe njëra ndër to ka thënë se është edhe lirimi i serbëve të arrestuar.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thanë se janë duke punuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të gjetur një zgjidhje politike që të ulen tensionet në veri të Kosovës.
Uashingtoni dhe Brukseli u bënë thirrje të gjithëve që të marrin veprime të menjëhershme për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës./REL
Fraksion.com