Haradinaj alarmon Uashingtonin dhe Qeverinë: Gjendja mund të dalë jashtë kontrollit
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se skenari i regjimit prorus në Serbi për destabilizimin e Kosovës po hyn në fazë kritike, duke shtuar se gjendja në Veri mund të përshkallëzojë dhe të dalë jashtë kontrollit
Ai përmendi mbylljen e pikave kufitare, sulmet ndaj qytetarëve, gazetarëve, policisë, EULEX-it e KFOR-it.
Skenari i regjimit pro-rus të Serbisë për destabilizimin e Kosovës, po hyn në një fazë kritike. Mbyllja e pikave kufitare njëra pas tjetrës, sulmet e grupeve kriminale të sponzorizuara nga Serbia, ndaj qytetarëve, gazetarëve, Policisë, Eulexit e pjesëtarëve të KFOR-it dhe kujtdo tjetër që e kundërshton këtë skenar ogurzi, kanë marrë përmasa shqetësuese. Gjendja mund të përshkallëzojë dhe të dalë krejtësisht jashtë kontrollit”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Sipas tij, në këtë situatë, Kosova duhet të mobilizojë potencialin politik, diplomatik, intelektual e të sigurisë, derisa i bëri thirrje Kurtit që të “sillet në përputhje me situatën e krijuar”.
“Prandaj në një situatë të tillë, është urgjente që Kosova të mobilizojë gjithë potencialin e vet politik, diplomatik, intelektual e të sigurisë në përballje me këtë rrezik të madh. I bëj thirrje Kryeministrit që të sillet në përputhje me situatën e krijuar!”, ka shkruar ai.
Kreu i AKK-së ka “lutur partnerët e sigurisë, posaçërisht Uashingtonin që të marrin nën kontroll situatën në Veri”.
“Serbia nuk zbrapset me retorika boshe luftënxitëse e as me “trimat e rrjeteve sociale”. Gjendja është e rëndë dhe kërkon maturi e koordinim, jo vetëm me faktorin e brendshëm por edhe me partnerët ndërkombëtarë. Njëkohësisht, lus partnerët e sigurisë, posaçërisht Ëashingtonin, që ta marrin nën kontroll situatën në veri dhe ta ndalin përshkallëzimin e mëtejmë, i cili paraqet rrezik edhe për paqen në rajon!”, ka shkruar Haradinaj.
Kujtojmë që sot është dita e 19-të e barrikadave të vendosura në rrugët në Veri nga serbët në shenjë revolte për arrestimin e ish-policëve të Policisë së Kosovës./Express
Fraksion.com