AktualitetKosovaRajoniTë fundit

Ana tjetër e Beogradit: Ky është qëllimi i barrikadave në veri të Kosovës

Zjarri që po tentohet të ndizet në veri të Kosovës përshkruhet si dinamit nën fuçinë ballkanike. Në Beograd, ndonëse e vogël, ekziston një anë tjetër e qëndrimeve lidhur me situatën e tensionuar, përcjell Gazeta Express.

Të gjithë ata që po bëjnë përsëritje të shkrimeve të Kninit, dhe falë burimeve historike ne e dimë se në vitin 1991 ata u dirigjuan nga Beogradi, po fillojnë përsëri një seri konfliktesh dhe po e shtyjnë të gjithë rajonin në rrezik dhe pasiguri të madhe, thotë historiani serb, Milivoj Beshlin për Danas.

Në pyetjen se kush në të vërtetë po “mbrohet” nga barrikaduesit, nëse është grupi mafioz që e kontrollon veriun e Kosovës dhe lidhjet e tyre me Beogradin, apo serbët nga Kosova, disa analistë në Beograd pajtohen se bëhet fjalë për abuzime të njerëzve të thjeshtë.

“Situata në Kosovë komplikohet edhe më shumë nga roli i kriminelëve, lidhjet e të cilëve arrijnë deri në Beograd. Si në çdo çështje tjetër, Partia Progresive Serbe ka hyrë thellë në krim, ndaj Milan Radoiçiqi dhe Zvonko Veselinoviqi shpërblehen me tenderë për ta ndërtuar infrastrukturën, për t’i shtruar rrugët në Beograd dhe për t’i rregulluar pak gjërat për nevojat e Vuçiqit në Kosovë. Kjo nuk mund të jetë e mirë për askënd”, thotë deputeti serb, Radomir Lazoviq.

Radomir Lazoviq

Sipas historianit Milivoj Beshlin, barrikadat janë barrierë për normalizimin e jetës në veri të Kosovës, janë barrierë për luftën kundër krimit dhe përpjekjet për vendosjen e sundimit të ligjit, përcjell Express.

“Dhe qëllimi i tyre kryesor është ta ruajnë gjendjen e konfliktit të ngrirë si një interes rus të klasit të parë, në mënyrë që ky konflikt, me dëshirën e regjimit në Kremlin, të shkrihet dhe fronti ballkanik të hapet si një front rezervë i domosdoshëm për Putinin”, thotë ai.

Fatkeqësisht, shton Beshlin, pikëpamjet dhe qëllimet unike të të gjitha ish regjimeve në Beograd, si dhe pothuajse të gjitha strukturave opozitare, janë plotësisht në përputhje me qëllimet e ushtrisë kriminale të Putinit.

“Fronti ballkanik është i nevojshëm për Putinin për ta maskuar humbjen poshtëruese ruse në Ukrainë. Çdo tentativë e regjimit të Vuçiqit dhe strukturave të tij kriminale për të qenë prokurë ruse në Ballkan na çon drejtpërsëdrejti në një katastrofë që nuk është ende e armatosur, por as e përjashtuar”, thekson ai.

Milivoj Beshlin

Radomir Lazoviq thotë se “në terma afatgjatë, zgjidhja e të gjitha çështjeve teknike duhet të lehtësohet”.

“A duhet të bëhet një luftë e re e vogël për çdo çështje në negociata? Jo të gjitha çështjet nënkuptojnë njohjen apo mosnjohjen e Kosovës. A është e mundur të zgjidhen çështjet e jetës së njerëzve fillimisht në tavolinë dhe kështu t’u mundësohet, për shembull, të mos kenë nevojë të kontrabandojnë barna, të lëvizin lirshëm, të kenë arsim cilësor në gjuhën e tyre dhe kujdes shëndetësor?”, pyet politikani serb.

Formimi i një asociacioni të komunave me shumicë serbe, thekson ai – i cili do të kishte kompetenca në fushën e arsimit dhe shëndetësisë, mbrojtjen maksimale të të drejtave individuale dhe kolektive të serbëve, duke përfshirë të drejtën për lidhje të veçanta me Serbinë, si dhe mbrojtjen maksimale të kulturës, trashëgimisë historike dhe artistike – është diçka që ai thotë se “nuk mund të jetë, nuk duhet të jetë problem për Kosovën”./Express

 

Fraksion.com