AktualitetTë fundit

“Përgjimi në burg i çoi tek Martinaj”, Lapaj: Policisë i duhen gjashtë vjet ta shpallë të vdekur

Avokati Adriatik Lapaj shpjegoi se si Ervis Martinaj në bazë të ligjit konsiderohet si një person i gjallë.

Sipas tij do të duhet një procedurë ligjore prej gjashtë vitesh për ta shpallur një person të vdekur, duke nisur që nga shkëputja e kontakteve.

Avokati tha në “Top Story” se për sa kohë nuk gjendet kufoma konsiderohet i gjallë dhe mbetet në kërkim nga policia për veprat penale që ka kryer.

“Referuar kodit të Procedurës Penale ka vetëm një rast kur mund të hyet në banesën e një shtetasi të kësaj republike pa vendim gjykate dhe është rasti i flagrancës. Kur dikush kapet në kryerje e sipër të një vepre penale apo është duke u ndjekur pa ndërprerje nga kryerja e veprës penale. Në rastin konkret çdo indicje duhet të kalojë përmes filtrit gjyqësor, që do të thotë se besoj dot që një gjykatë e kësaj republike të mund të cënojë, sepse kontrolli i banesave është akt  shumë i rrallë.

Të gjithë personat që janë në institucionet e vuajtjes së dënimit janë nën përgjim në moment që flasin në telefon, pra në moment që janë në kontakt më botën e jashtme kalojnë në një filtër. Sepse janë nën survejim për të parandaluar krime në të ardhmen dhe për tu ndëshkuar.

Në këtë kuptim në momentin që kanë marrë informacion, prokurori i çështjes ka vepruar duke çuar çështjen në gjykatë për të marrë një mandat kontrolli.

Ai është i gjallë në kuptim  të ligjit. Policia vepron në bazë të ligjit. Në bazë të ligjit një person konsiderohet i gjallë për sa kohë nuk është shpallur i vdekur me vendim Gjykate. Neni 15 i Kodit Civil e detyron procesin të kalojë përmes Gjykatës,e të bëhet shpallja e zhdukjes së personit. Kjo bëhet kur kanë kaluar nga dy vjet nga momenti që personi nuk ka më kontakte, nga momenti fundit. Me shpalljen e zhdukjes juridikisht sipas nenit 17 të Kodit Civil bëhet deklarimi i vdekjes, kur kanë kaluar edhe katër vite të tjera. Që do të thotë në total procesi merr gjashtë vite.

Për kaq kohë ky shtetas do të vazhdojë të jetë i gjallë në kuptim të ligjit. Në qoftë se ka vdekur biologjikisht është tjetër çështje, por juridikisht për sa kohë nuk gjendet kufoma konsiderohet i gjallë. Policia e shtetit vepron sikur ai të ishte shtetas i gjallë, madje shkon e kërkon aty si një person i kërkuar për vepra penale. Se ai përpara se të jetë i zhdukur, që deklarohet këtu që është i zhdukur, është në kërkim nga kjo polici”, tha avokati Adriatik Lapaj.

 

Fraksion.com