Fluturime për në “Kosovën serbe” dhe “Kievin rus”? – falsifikime të qëllimshme
Në fotografinë e një tabele fluturimesh në aeroportin e Beogradit jepen si destinacione “Kiev Rusi” dhe “Kosovo Serbia”. Sa e vërtetë është kjo fotografi? Një verifikim faktesh.
Fotografia që pretendohet se është bërë në aeroportin e Beogradit është klikuar qindra-mijëra herë në mediat sociale. Por sipas hulumtimit të DW ajo është e falsifikuar.
Fluturimi i pretenduar që ka si destinacion “Kosovo Serbia” duket se është provokim i qëllimshëm. Kosova nuk është qytet, por shtet dhe në tabelat e aeroporteve zakonisht nuk shënohet emri i shtetit, por i qytetit ku mbërrin avioni. Po ashtu parlamenti i Kosovës shpalli në vitin 2008 pavarësinë, edhe pse Serbia, Rusia dhe Kina, apo pesë vende të BE-së nuk e njohin atë. Edhe Kievi është kryeqyeti i Ukrainës dhe jo qytet në Rusi.
Po ashtu nëse e shohim më me kujdes fotografinë, bien në sy falsifikime të tjera. Në anën e majtë, për shembull, në rastin e fluturimeve të supozuara për në Kiev dhe Kosovë janë flamujt e shteteve në vend të logove të linjave ajrore, si në rastin e fluturimeve të tjera.
Numrat e fluturimeve dëshmojnë për manipulimin
Sipas hulumtimit të DW edhe numrat e fluturimit tregojnë se fotografia është e falsifikuar. Numri i fluturimit është një numër identifikimi që specifikon një fluturim të një kompanie ajrore të caktuar. Shkronjat janë shkurtesa e linjës ajrore, kurse numrat lidhen me informacione në lidhje me fluturimin, vendin dhe kohën e nisjes dhe destinacionin.
Kështu fluturimi i pretenduar për në Kosovë me numër W6 4051 është sipas “My Flight Right” numri identifikues i një fluturim të Wizz Air nga Beogradi në Basel-Muhlhouse-Freiburg (MLH).
Edhe fluturimi për Kiev tregon se fotografia është e manipuluar. I pyetur nga DW një zëdhënës i Air Serbia konfirmoi se fluturimi JU600 i përket lidhjes Beograd-Vjenë dhe se Air Serbia nuk fluturon për në Kiev.
Tabela e fluturimeve provë tjetër për manipulimin
Edhe tabela e fotografuar nuk është në aeroportin e Beogradit. I pyetur nga DW një zëdhënës i aeroportit Nikola Tesla në Beograd sqaroi se tabelat dhe ekranet e fluturimeve në këtë aeroport janë ndryshe nga ajo që shihet në fotografi. Aeroporti i Beogradit dërgoi si provë edhe fotografi të tabelave aktuale të ekraneve të fluturimeve.
Në cepin e sipërm djathtas të këtyre fotografive duket edhe logoja “Vinci Airports”. Vinci Airports është një operator privat aeroportesh, i cili manaxhon edhe aeroportin e Beogradit./DW
Fraksion.com