AktualitetOp-EdTë fundit

“Evita”-Rilindja përmes bijës

Nga Donika Çapi

 

Juria profesioniste e “Fest 61” vlerësoi me Çmimin e Parë, titullin “Evita”, me autore Elsa Lilën… E pritshme dhe bindëse kjo fitore, ngaqë u realizua përputhshmëria mes ndjesisë imediate të spektatorit që e përjetoi krijimin dhe gjykimit objektiv të jurisë mbi nivelin artistik të kësaj performance në skenë.

Faktikisht, gjatë natës së tretë (finale) të Festivalit të Këngës në RTSH, emocionet e spektatorëve në sallë u përthyen në shumë e shumë duartrokitje dhe brohoritje: “Elsa! Elsa!”. Sa u përket ndjesive, Elsa Lila zgjon përmallimin e një pjese të publikut që e njeh qyshse ishte fëmijë, ngazëllimin e një pjese tjetër që e sheh tashmë nënë, dhe kureshtjen e një pjese po aq të madhe që beson te Capital-T dhe rrjedhimisht beson te vlerësimet që bën reperi i dashur i të rinjve për Elsën.

Ndërsa artistikisht, Elsa Lila (ri)vjen në skenë me bagazhin e një sërë sprovash sa artistike aq edhe jetësore që nuk zhgënjejnë rreth prezencës së saj prej “Dive” në skenë. Tonalitetet dhe temperaturat e zërit burimor të Elsës mbeten tipike të sajat, të pangatërrueshme me asnjë zë tjetër muzikor. Thjesht, qëndrimi i saj në skenë siguron qetësi, atë lloj qetësie që vjen vetëm prej talentit. S’ka ndryshuar shumë! Është e njëjta qetësi që Elsa transmetoi në skenën e festivalit të vitit 1996 (atëherë 15 vjeç) teksa këndonte “Pyes lotin”. Vetëm së atëherë flokët e gjatë, të mbledhura përgjysmë në një gërshet që i rrinte anash mbërthyer me një lule të bardhë, transmetonin njëkohësisht edhe pafajësinë e një fëmije. Brishtësia me të cilën mbante talentin e saj madhështor, e kthente këtë fëmijë në një ikonë. Kjo fëmijë-ikonë, një vit më vonë, në 1997, do t’i priste gërshetat e pafajësisë dhe do të mbante peshën e divës nën kostumin e bardhë prej djali. Me flokët e prera si djalë!

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Donika Çapi

Vetëm në një vit (vit tragjik ishte 1997 për të gjithë, e akoma më tragjik për Elsën) Elsa do të kthehej në të paharrueshme për publikun e saj. Kur Elsa do të këndonte në 1997 këngën fituese “Larg Urrejtjes”, publiku do ta donte me përkushtim edhe përtej zërit madhështor, sepse do të identifikohej me tragjedinë e saj. Vetëm se tragjedia ku vajza ishte kapur, ishte përtej forcave të saj për ta shpjeguar, për ta përballuar dhe për ta jetuar. Kishte goditur në befasi dhe pa paralajmërim saqë e vetmja mënyrë për ta brendësuar ishte “arratisja” në kuptimin simbolik dhe real të fjalës (në një prej pak intervistave që ka dhënë, Elsa ka folur për nevojën për arratisje – që e finalizoi në Madagarskar).

Kthimi i Elsës në këtë fundvit në skenën e Festivalit të 61, më shumë sesa për hir të sukseseve të saj të shkuara në Itali apo Shqipëri, nuk mund të mos prekte publikun edhe njëherë emocionalisht. Kohët e fundit kishte qarkulluar zhurmë mediatike për ndonjë episod të jetës së Elsës në Romë. Unë vetë shumë pak kam lexuar për këtë episod, aty këtu ndonjë titull lajmi në gazeta. E vështirë është të vlerësosh si duhet jetët e njerëzve kur kronika e zezë mbushur me histori të përgjakshme, vrastare, të formave nga më të pamëshirshmet, dominon faqet e medias së shkruar apo kur kronikat surrealiste të krimit politik, shoqëror e moral, zotërojnë ekranet televizive. Fakti që kam mësuar shumë pak rreth jetës personale të viteve të fundit të Elsës, nuk më pengon të jem krejt e bindur për pasojat e ankthshme që episode të tilla lënë në jetën e një nënë, si edhe nevojën e ngutshme për t’i folur vetës me atë gjuhë mirëkuptimi që vetëm vetja jote mund të ta japë.

Ngjitja e Elsës kësaj radhe në skenë është një nga ato bisedat e sinqerta dhe shëruese që njeriu bën me veten. Një dhuratë sublime që Elsa Lila i bën vetvetes duke na bëre një thirrje të ndershme për t’i qenë dëshmitarë, për ta celebruar në dialogun e saj me veten. Lakuriqësia e saj emocionale ishte e admirueshme. Ajo qëndroi përpara nesh si një grua. Tashmë me peshën e një historie personale! Vetjake! Përballë publikut bashkë me të gjitha përgjegjësitë e veta. Nën nudizmin e një gruaje- Nënë. Përballë këtij nudizmi të thjeshtë, të prekshëm dhe të sinqertë, komentet që u dëgjuan aty këtu se zëri i saj nuk mund të konkurronte atë të ndonjë këngëtare tjetër, apo se nuk i kuptoheshin fjalët e këngës, apo se jeta e saj personale nuk është një shembull i mirë për artistët e rinj, humbasin vlerën.

Ajo që mbeti dhe do mbesë besoj gjatë është vlera e paçmuar e dhuratës që Elsa Lila i bëri çdo spektatori e sidomos çdo gruaje. Kuptimi i jetës së një gruaje nuk gjendet tek e kaluara traumatike, por tek e ardhmja që zbulohet në sytë e fëmijës së saj! Elsa i këndoi një gruaje tjetër, Evitës, i këndoi zgjimit nga errësira përmes dritës së të ardhmes. Dëgjoheshin apo nuk dëgjoheshin mirë këto fjalë në skenë, Elsa i këndoi me zemër dhe i vuri një fytyrë, trup dhe zë tejkalimit të traumës! Përmes Bijës!

 

Fraksion.com