Asenal armësh në ‘Kështjellën’ e Ervis Martinajt dhe xhaxhallarëve: Asnjë i shoqëruar nga policia pas operacionit të djeshëm
Policia e Shtetit nuk ka shoqëruar apo arrestuar asnjë person lidhur me zbulimin dhe sekuestrimin e armëve dhe municionit luftarak të hënën në Fushë Kuqe, në banesat e Ervis Martinajt dhe dy xhaxhallarëve të tij, Faik dhe Rakip Martinajt, në kontrollet që zgjatën për rreth 5 orë.
Mësohet se armët e municionet u zbuluan të futura në kosheret e bletëve në një ambient të përbashkët të familjes Martinaj. Burimet për gazetarin e Report Tv Sokol Dema, bëjnë me dije se dy xhaxhallarët e të shumëkërkuarit ndodheshin prezent, por për arsye të paqarta nuk dihet se përse nuk janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje, duke qenë se brenda në banesa janë gjetur familjarë të Martinajve. Burime nga organi i akuzës në Kurbin shprehen se urdhri është dhënë për kontrolle të befasishme, dhe se është kompetencë e policisë për të kryer veprime të mëtejshme në lidhje me sendet e jashtëligjshme të gjetura.
Përveç armëmbajtjes pa leje, në rastin konkret është edhe vepra penale e përvetësimit të simboleve të Policisë së Shtetit. Armët e gjetura janë dërguar në laboratorin e Policisë Shkencore, teksa dyshimet janë për përdorim të tyre në ngjarje të tjera kriminale. Përveç tentativës për të kuptuar mbi përdorimin e armëve, policia do të verifikoj edhe maskat e gjetura, tek të cilat mund të gjenden gjurmë gishtash.
Afro 5 muaj nga zhdukja e mbretit të lojërave të fatit Ervis Martinaj, forcat RENEA dhe ato të ndërhyrjes së shpejtë zbarkuan për herë të parë në Fushë-Kuqe në një kështjellë, ku banon familja e tij dhe xhaxhallarët dhe kryen kontrolle që zgjatën për rreth 5 orë. RENEA dhe FNSH u futën brenda banesës së Martinajt, e cila ndodhet rreth 200 metra larg fshatit Fushë Kuqe. Kontrolli ishte me vendim të gjykatës në funksion të hetimeve që po kryhen për zhdukjen e Ervis Martinajt, por edhe për ngjarje të tjera kriminale që kanë ndodhur në këtë zonë.
Çfarë u gjet në shtëpinë e Ervis Martinajt dhe 2 xhaxhallarëve të tij Faik dhe Rakip Martinajt
U gjetën dhe u sekuestruan 2 armë zjarri automatike, 1 silenciator, rreth 7 mijë fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, për armë të lehta dhe të rënda, 85 predha eksplozive, 1 thikë bajonetë, 9 uniforma policie, 7 jelekë multifunksionalë, 11 kapele policie, 2 radio policie, fenelina policie, maskë gome për fytyrën dhe dokumente të ndryshme.
Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit të këtij viti. Gjatë kësaj periudhe policia ka kryer disa kontrolle në kërkim të tij në qytete të ndryshme, operacione të cilat janë mbajtur diskrete. Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka zgjedhur që të përgjigjet shkurt mbi hetimet pë zhdukjen e tij duke thënë se janë në rrugë të mbarë.
Zhdukja pa lënë gjurmë e Martinajt ka ardhur pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani në kuadër të operacioni Plumbi i Artë, kohë kur Martinaj u shpall në kërkim nga SPAK. Dumani ka thënë se Martinaj ka qenë i gatshëm të paguante 500 mijë euro për vrasjen e Indrit Dokles. Vetë Nuredin Dumani ka thënë se ka marrë porosi nga Ervis Martinaj për ta vrarë, ka rënë dakord që Ervisi të jepte për vrasjen e Indritit shumën prej 500 000 Euro dhe se ka marrë paradhënie shumën prej 100 000 Euro. Kujtojmë se Indri Dokle ka qenë numri 2 i Bandës së Durrësit dhe është i dënuar për “Krijim i organizatës kriminale”, “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të organizatës kriminale.
Nga hetimet që po kryhen për zhdukjen e Martinajt është lënë në burg një efektiv policie Jeton Lami, me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe dekonspirimit të operacioneve policore. Teksa po hetonte për zhdukjen e të shumëkërkuarit, policia zbuloi se për t’u arratisur, Martinaj ishte ndihmuar edhe nga Lami, i cili u prangos më 23 gusht nga policia e Lezhës.
Ervis Martinaj është një prej njerëzve më të njohur të botës së krimit në vend. Ai është konsideruar si një nga njerëzit më të rrezikshëm në Tiranë, i akuzuar për vrasje dhe i dyshuar për disa ngjarje të rënda, që kanë tronditur kryeqytetin.
Fraksion.com