“S’kam pse mos përfitoj nga rasti”, Rama: Minoriteti, urë e pazëvendësueshme e lidhjes mes 2 vendeve
Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në ceremoninë e pritjes në Derviçan të Kryeministrit të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.
Në fjalën e tij, Kryeministri Rama tha se “për ne minoriteti është një urë e pazëvendësueshme e lidhjes së paszgjidhshme mes dy vendeve tona”.
“Me shumë mirënjohje përshëndes të gjithë ata qytetarë si ju të Republikës së Shqipërisë me kombësi greke që i kanë dhënë jo vetëm këtij komuniteti, por i kanë dhënë shumë vendit. Falë lirisë dhe hapjes së kufijve pas një periudhe të gjatë izolimi mund të lëvizin lirisht mes kësaj ane dhe asaj ane të kufirit. Më vjen mirë që përfaqësuesit e këtij komuniteti në sipërmarrjen shqiptare janë nga më të rëndësishmit në ekonominë tonë”, tha Rama.
Ashtu sikundër, vijoi Rama, më vjen mirë që ka nga ky komunitet ka artistë, piktorë, skulptorë që aktivitetin e tyre e zhvillojnë në Janinë, por që janë të pandarë nga kjo zonë.
“Mes nesh kemi edhe Pirro Dhimën, që s’kanë lënë gjë pa i thënë, por prapë çfarë thotë Niçja “Çfarë nuk të vret, të forcon”, ti më i fortë bëhesh edhe unë si tradhtar profesionist të përshëndes”, tha Rama.
Më tej, Rama tha se “ju kisha premtuar që do ta sillja këtu të birin e të atit dhe ja ku e kemi”.
“Është prekëse edhe për mua që nuk jam pjesë e minoritetit, që të jem sot këtu pas thuajse 30 vjetësh që i pari dhe i fundit Kryeministër i Greqisë ndaloi për të përshëndetur vëllezërit e motrat në minoritetit, i ndjeri babai i Kryeministrit aktual, i cili me shumë kënaqësi për hir të vërtetës e ka pritur këtë ftesë. Duhet të vinim të nesërmen e datës 6 kur kishim samitin e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, por moti ishte i keq dhe kështu u detyruam ta shtyjmë, por edhe më mirë akoma se nuk besoj se ka një ditë më të bukur për të ardhur këtu se sa në një vigjilje Krishtlindjesh”.
“Faleminderit për këtë mikpritje fantastike që është e gjitha për Kryeministrin, por unë nuk kam pse mos përfitoj nga rasti e ta shijoj këtë pamje për t’u mbledhur në këtë shesh të vogël e për t’i dëshmuar Kryeministrit bukurinë e mirëseardhjes dhe për ta celebruar këtë moment të rëndësishëm”, tha Rama.
Fraksion.com