AktualitetKosovaRajoniTë fundit

Serbët në veri me kërkesa për largimin e barrikadave

Qytetarë serbë protestuan të enjten në fshatin Rudarë, Komuna e Zveçanit, kundër, siç thanë, “kërcënimeve” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Në këtë vend, i cili në mesin e komunitetin lokal serb njihet edhe si “Te kryqi”, ndodhet një prej barrikadave të ngritura në veri të Kosovës qysh më 10 dhjetor.

Radio Evropa e Lirë merr vesh se në protestë morën pjesë edhe pjesëtarë të komunitetit serb nga zona të tjera të Kosovës.

Bëhet fjalë kryesisht për persona të punësuar në institucionet serbe që funksionojnë në Kosovë.

Në mesin e të pranishmëve kishte edhe prej atyre që punojnë në institucionet e Kosovës, kryesisht në ato të vetëqeverisjes lokale.

Në fillim të protestës, turmës iu drejtua djali i Dejan Pantiqit, Predrag Pantiq, si dhe ish-kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Nikola Kabashiq, ish-kryetari i Komunës së Zveçanit, Dragisha Miloviq dhe të tjerë nga sektori i arsimit dhe drejtësisë.

Ata thanë se duan paqe, duan të qëndrojnë dhe të mbijetojnë në Kosovë, se nuk kanë asgjë kundër popullit shqiptar, por janë kundër Qeverisë së Albin Kurtit. Ata i dënuan arrestimet në veri dhe dërgimin e njësive speciale të Policisë së Kosovës në atë pjesë të Kosovës.

Qëllimi i arrestimeve, sipas tyre, ishte “frikësimi” i popullit serb.

Kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, nga radhët e Listës Serbe, tha se “në këtë luftë, serbët janë të bashkuar”. Ai tha se qëllimi i Kurtit është që të mos ketë serbë në jug dhe në veri të Ibrit, ose të ketë “vetëm nga ata që duan t’i përulen”.

"Nuk lindëm fëmijë për snajperët e Kurtit", "Pse jemi kriminelë nëse kërkojmë liri?", "Drejtësi për Dejanin, Milanin e Slagjanin!" , janë disa nga pankartat që u panë në protestën e serbëve më 22 dhjetorit në Rudarë.
“Nuk lindëm fëmijë për snajperët e Kurtit”, “Pse jemi kriminelë nëse kërkojmë liri?”, “Drejtësi për Dejanin, Milanin e Slagjanin!” , janë disa nga pankartat që u panë në protestën e serbëve më 22 dhjetorit në Rudarë.

Kurse, disa nga qytetarët e mbledhur në Rudarë, me të cilët ka biseduar REL-i, thanë se kanë ardhur për të luftuar për të drejtat e tyre, por ka edhe nga ta që deklaruan se u detyruan të vijnë. Tubimet e tilla janë “obligim pune” për punonjësit në institucionet serbe në Kosovë.

Protesta, që u cilësua si “më e madhja ndonjëherë”, u organizua pas thirrjes së të ashtuquajturit Shtab i krizave, i cili përbëhet nga punonjës të institucioneve të Serbisë në Kosovë dhe përfaqësues të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila vepron me mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Qytetarë serbë duke shkuar në protestën e paralajmëruar në Rudarë të Zveçanit. Në rrugë shihen edhe forcat e KFOR-it.
Qytetarë serbë duke shkuar në protestën e paralajmëruar në Rudarë të Zveçanit. Në rrugë shihen edhe forcat e KFOR-it.

Në thirrjen për protestë u tha se ata duan të dërgojnë mesazh se nuk janë dakord me “persekutime dhe vrasje”.

Paraprakisht, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha përmes një video-mesazhi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, planifikon të “vrasë serbë” në barrikada.

Ajo që Kurti i tha, në fakt, gazetës britanike Guardian, është se ai “shpreh shqetësim se heqja e barrikadave mund të çojë në viktima potenciale”.

Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media, i ftoi qytetarët që “të kenë vëmendje dhe kujdes të shtuar” gjatë protestës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se u ofron “mbështetje të plotë” serbëve në Kosovë.

Protestuesit kundërshtuan edhe “ultimatumet dhe afatet” për heqjen e barrikadave.

Nga 10 dhjetori, grupe të serbëve në veri të Kosovës kanë ngritur barrikada në rrugët që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Me këtë veprim, ata i janë përgjigjur arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, i dyshuar për një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Për heqjen e barrikadave, ata kërkojnë lirimin e Pantiqit.

Autoritetet e Kosovës kanë thënë se kanë kapacitete për heqjen e barrikadave, por se janë duke i dhënë kohë misionit të NATO-s, KFOR, që ta bindë komunitetin lokal që t’i zhbllokojë vetë rrugët.

Ndërkohë, Vuçiq ka thënë se barrikadat do të hiqen kur të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, për të cilin është rënë dakord në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Autoritetet e Kosovës janë kundër formimit të këtij asociacioni, me arsyetimin se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik dhe se ai nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës./REL

 

Fraksion.com