Përgatitjet e Ukrainës për mundësinë e një ofensive tokësore nga Bjellorusia
Presidenti rus Vladimir Putin vizitoi Bjellorusinë të hënën dhe sipas zyrtarëve në Kiev dhe ekpertëve, kjo vizitë është një përpjekje për t’i bërë trysni Presidentit Alexander Lukashenko që t’i bashkohet një sulmi tokësor, që mund të nisë nga Bjellorusia. Ushtria ukrainase është përgatitur prej muajsh për një skenar të tillë. Korrespodentja e Zërit të Amerikës, Myroslava Gongadze ishte në kufirin e Ukrainës me Bjellorusinë për të parë situatën në terren.
Autoritetet ukrainase kanë rritur edhe më shumë vigjilencën në kufi me Bjellorisinë. Zëri i Amerikës ishte në pikën kufitare, ndërsa rruga kryesore që lidh dy vendet është e mbushur me mina.
Oleksandr Tsys, komandanti i Brigades 104 të Mbrojtjes së Territorit thotë se që nga nisja e agresonit rus në 24 shkurt, forcat ukrainase janë përgatitur për një ofensivë të mundshme nga Bjellorusia.
“Ne sot të gjithë e dimë se çfarë hapi duhet të ndërmarrin dhe si të reagojmë në rast sulmi”, thotë ai për Zërin e Amerikës.
Sipas tij forcat ukrainase ndihen të sigurta për të mbrojtur vendin.
“Kemi mbështetje të pabesueshme nga popullsia lokale dhe pushteti vendor. Kemi siguruar pajisje të shumta ushtarake nga partnerët tanë. Ne po përgatisim ushtarët tanë, kështu që jemi gati”, thotë Oleksandr Tsys, Komandant i Brigadës 104-të.
Koloneli Anton Kvyitlovsky thotë se sipas të dhënave të inteligjencës ukrainase, ushtria bjelloruse nuk është e përgatitur për veprime sulmuese. Megjithatë, ukrainasit po analizojnë me vëmendje stërvitjet e forcave bjelloruse. Në koordinim me forcat ruse, Bjellorusia mund të bëjë goditje dhe ukrainasit po përgatiten.
“Situata në kufi është nën kontroll”, thekson ai për Zërin e Amerikës.
Për shkak të relievit një sulm tokësor nga Bjellorusia në Ukrainë, duket i pamundur. Vitaliy Koval, guvernatori i rajonit “Rivne” që kufizohet me Bjellorusinë, tregon arsyet pse.
“Siç mund ta shihni, në të majtë janë kënetat. Ato janë të pamundura të kalohen. Për 92 kilometra kemi kënetat. Armiku duhet të kuptojë se ata nuk mund ta mposhtin natyrën dhe Zotin. Këto këneta na ndihmojnë. Përveç kësaj, ne kemi mbi një mijë lumenj të vegjël dhe të mëdhenj në rajon me ura, të cilat na shërbejnë si mbrojtje natyrore”, thotë ai.
Ukraina dhe Bjellorusia ndajnë një kufi prej 1000 kilometrash. Në shkurt, forcat ruse përdorën Bjellorusinë si pikënisje për sulmin e tyre ndaj kryeqytetit ukrainas, Kiev. Që nga nisja e agresionit rus, territori bjellorus u bë një bazë për logjistikën ushtrisë rsue dhe lëshimin e raketave.
Oleksiy Danilov, Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes, i tha Zërit të Amerikës se qeveria ukrainase e merr seriozisht kërcënimin.
“Rreziqet janë reale, asnjëherë nuk i kemi nënvlerësuar. Çështja është se Federata Ruse po pushton Bjellorusinë për momentin, ne jemi të përgatitur për çdo skenar, përfshirë Bjellorusinë”, thotë ai.
Ekspertët thonë se autoritetet bjelloruse deri tani kanë nguruar të përdorin forcat e tyre tokësore për të sulmuar drejtpërdrejt Ukrainën. Po ata thonë se kjo mund të ndryshojë në çdo moment./VOA
Fraksion.com