“Nuk do të fshihem”, Vuçiq mbështet serbët në veri dhe u bën thirrje të ruajnë paqen
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se serbët në veri të Kosovës do ta kenë gjithmonë mbështetjen e tij për kërkesat e tyre.
“Dhe, nuk do të fshihem nga të mëdhenjtë dhe të fuqishmit në botë. Do të jem gjithmonë i përgjegjshëm për t’iu bërë thirrje që të ruajnë paqen, sepse paqja është në interesin më të mirë të serbëve dhe të Serbisë, si dhe të popullit tonë në ‘Kosovë dhe Metohi’”, tha Vuçiq në një video-adresim të publikuar në llogarinë e tij në Instagram.
Komentet vijnë në ditën kur disa qytetarë serbë u mblodhën në një protestë në fshatin Rudarë në veri të Kosovës, për të kundërshtuar, siç thanë, “kërcënimet” e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Në këtë vend ndodhet edhe një prej barrikadave të ngritura në veri të Kosovës qysh më 10 dhjetor.
Goran Rakiq, kryetar i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Lista Serbe, tha se Kurti planifikon të “vrasë serbë” në barrikada, por nuk solli ndonjë provë që do t’i mbështeste këto pretendime.
Në fakt, ajo që Kurti i tha gazetës britanike Guardian, është se ai “shpreh shqetësim se heqja e barrikadave mund të çojë në viktima potenciale”.
Grupe të qytetarëve serbë kanë ngritur barrikada në veri të Kosovës qysh më 10 dhjetor, për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb.
Policia e Kosovës ka arrestuar Dejan Pantiqin nën dyshimet se ka marrë pjesë në një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Për t’i hequr barrikadat, grupet e serbëve kërkojnë lirimin e Pantiqit.
Autoritetet e Kosovës kanë thënë se kanë kapacitete për heqjen e barrikadave, por se janë duke i dhënë kohë misionit të NATO-s, KFOR, që ta bindë komunitetin lokal që t’i zhbllokojë vetë rrugët.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha të enjten se KFOR-i nuk i është përgjigjur ende kërkesës së Serbisë për të dërguar deri në 1.000 forca serbe në Kosovë.
“Ne presim një përgjigje për këtë kërkesë”, tha Bërnabiq për Televizionin serb Hepi.
Serbia e ka bërë këtë kërkesë duke u thirrur në Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara, ndërsa KFOR-i ka thënë më herët se është duke e shqyrtuar atë.
I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 13 dhjetor se SHBA-ja është kategorikisht kundër mundësisë së kthimit të forcave serbe në territorin e Kosovës.
Fraksion.com