Biden: Ne do të qëndrojmë në krah të Ukrainës
Presidenti amerikan, Joe Biden në konferencën e përbashkët për shtyp në Shtëpinë e Bardhë me presidentin ukrainas, Zelenski theksoi mbështetjen amerikane për Ukrainën. “Ju nuk do të jeni asnjëherë vetëm”, tha Biden.
Ukraina vendos vetë për bisedimet e paqes
Sipas qëndrimit amerikan, Zelenski ka dorë të lirë të vendosë për kohën e bisedimeve të paqes me Rusinë. Kur Zelenski të jetë gati të negociojë me Rusinë, “atëherë ai do të ketë sukses, sepse ka fituar në fushën e betejës”, tha Biden në konferencën për shtyp. Kurse presidenti ukrainas theksoi, se një “paqe e drejtë” me Rusinë nuk do të përmbajë kompromise për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. “Ne luftojmë vërtet për një fitore të përbashkët kundër kësaj tiranie”, tha Zelenski. “Dhe ne do të fitojmë.”
Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski më parë gjatë takimit me presidentin amerikan Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë Zelenski ishte shprehur, se e falënderon SHBA-në me gjithë zemër dhe në emër të të gjithë ukrainasve dhe se është “një nder i madh” që ishte në Shtëpinë e Bardhë. Ky ishte udhëtimi i parë jashtë vendit i presidentit ukrainas që nga fillimi i luftës.
Ndihma për Ukrainën
Presidenti Biden vlerësoi “guximin” e Ukrainës përballë luftës agresore të Rusisë”. “Populli ukrainas vazhdon të frymëzojë botën.” – tha presidenti amerikan, i cili i premtoi Ukrainës ndihma ushtarake shtesë në Shtëpinë e Bardhë: “Ne do të vazhdojmë të forcojmë kapacitetet e Ukrainës për të mbrojtur veten, veçanërisht mbrojtjen ajrore”. Për këtë SHBA do të furnizojë Ukrainën me sistemin e mbrojtjes ajrore Patriot, tha Biden. SHBA premton 1.85 miliardë dollarë ndihma të reja ushtarake për Ukrainën.
Ministri i Jashtëm SHBA-së, Antony Blinken, tha se ky sistem do t’i mundësojë Ukrainës “të qëllojë raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi dhe avionë në një lartësi dukshëm më të lartë se sa me sistemet e mbrojtjes ajrore që i ishin dhënë më parë”. Gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë Zelenski i dha Presidentit të SHBA-së si dhuratë Urdhrin e Meritës të një ushtari ukrainas. Ky ushtar – “një hero i vërtetë” – i kishte kërkuar atij që t’ia jepte urdhrin presidentit Biden, tha presidenti ukrainas. Biden u prek dhe tha se ishte mirënjohës për dhuratën që nuk e meritonte.
Fjalim para Kongresit Amerikan
Presidenti Zelenski mbajti edhe një fjalim para Kongresit Amerikan. Ai u përshëndet me madhështi dhe duartrokitje, kur hyri në Kapitol për të folur në një takim të përbashkët të Kongresit. Përkundër të gjitha skenarëve apokaliptikë, Ukraina nuk është dorëzuar, tha Zelenski në fjalimin e tij. “Ukraina është plotësisht e gjallë.” Sipas presidentit ukrainas, lufta në Ukrainë do të ndikojë deri edhe brezat e ardhshëm. “Kjo luftë do të vendosë, se në cilën botë do të jetojnë fëmijët dhe nipërit tanë, dhe fëmijët e nipat e tyre”. Në Kongrensin Amerikan, Zelenski, theksoi se kjo botë është shumë e ndërlidhur, saqë dikush të mund të qëndrojë mënjanë dhe të ndjehet në të njëjtën kohë i sigurtë, për sa kohë një luftë vazhdon.
Qëllimi i fjalimit të Zelenskit ishte të bindte anëtarët e Kongresit që të vazhdojnë financimin e mbrojtjes së vendit të tij kundër Rusisë. Kongresi dëshiron të caktojë në buxhetin për vitin 2023 ndihma të mëtejshme për Ukrainën në shumën prej rreth 45 miliardë dollarë. Senatorët republikanë janë shprehur gjithnjë e më skeptikë për vazhdimin e shpenzimeve prej dhjetëra miliarda dollarësh për Ukrainën. Ndërkohë që qeveria amerikane premtoi të mërkurën (21.12) 1.85 miliardë dollarë ndihma të reja ushtarake për Ukrainën./DW