AktualitetKosovaRajoniTë fundit

Roli i dyfishtë i djathtistëve për pushtetin e Vuçiqit

Tubimi i djathtistëve nga Serbia, më 18 dhjetor, në vendkalimin kufitar me Kosovën, Jarinjë, me sloganin “Lutuni Zotit dhe rrini pas Rusisë”, ishte i treti i tyre brenda një jave.

Para Jarinjës, ata protestuan dy herë në qendër të Beogradit. Njëra protestë u zhvillua para Presidencës së Serbisë, ku ndodhet edhe kabineti i presidentit Aleksandar Vuçiq.

Në protesta u tha se Kosova është pjesë e Serbisë dhe u kërkua ndërprerja e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, i cili zhvillohet që nga viti 2011, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Protestat u zhvilluan në kohën e tensioneve të rritura në veri të Kosovës, ku grupe të serbëve lokalë kanë bllokuar rrugët drejt pikave kufitare me Serbinë qysh më 10 dhjetor.

Barrikadat u ngritën pasi autoritetet e Kosovës arrestuan një ish-pjesëtar të Policisë së Kosovës nga pjesa veriore e vendit.

Dushan Janjiq, nga Forumi joqeveritar i Beogradit për Marrëdhënie Etnike, thotë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Serbisë nuk mund t’i shmanget përgjegjësisë për veprimet e grupeve të djathta.

“Vuçiq vazhdon të tolerojë dhe inkurajojë krijimin e opinionit publik antievropian, antidemokratik, për të pasur alibi se pse po blen kohë dhe pse nuk e zgjidh problemin e Kosovës dhe pse nuk vendos sanksione [kundër Rusisë]”, thotë Janjiq.

Sipas tij, ky lloj alibie, në fund, “do të jetë pengesë” për Serbinë. Forca e grupeve të djathta nuk duhet nënvlerësuar, thotë ai.

Ndërmjetësuesit evropianë dhe amerikanë në dialogun Kosovë-Serbi po përpiqen ta përshpejtojnë procesin, i cili duhet të rezultojë me një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme mes dy palëve.

Serbia, gjithashtu, është duke u përballur me thirrje nga zyrtarë të BE-së që, si vend kandidat për anëtarësim, të ndjekë politikën e jashtme evropiane dhe të vendosë sanksione kundër Rusisë, për shkak të agresionit të saj kundër Ukrainës fqinje.

Kush protestoi në Jarinjë?

Në mesin e njerëzve të mbledhur më 18 dhjetor në pikën kufitare me Kosovën, shiheshin shenjat e disa grupeve të ekstremit të djathtë.

Aty ishte edhe Damjan Knezheviq, udhëheqësi i grupit ultra-djathtist, “Patrulla e Popullit”. Ky grup organizoi edhe një protestë “në mbështetje të serbëve nga Kosova”, më 12 dhjetor në Beograd.

Ky grup i paregjistruar zyrtarisht u bë i njohur për publikun e gjerë në fillim të vitit 2020, kur anëtarët e tij publikuan një video, ku shfaqeshin duke përgjuar dhe kërcënuar migrantë në rrugët e Beogradit.

Që atëherë, ata organizuan disa aksione kundër migrantëve në Serbi, kryesisht në qytetet ku punojnë qendrat për migrantë dhe refugjatë.

Pasi Rusia filloi pushtimin e Ukrainës, në fund të shkurtit, dhe u përball me sanksione ndërkombëtare, ky grup organizoi edhe disa protesta në mbështetje të Rusisë në Beograd.

Damjan Knezheviq vizitoi Rusinë në disa raste, ndërsa herën e fundit ishte mysafir në qendrën e sapohapur ushtarake-teknologjike të grupit paramilitar “Wagner” në Shën Petersburg.

Anëtarët e këtij grupi privat paraushtarak luftojnë me forcat ruse kundër Ukrainës. Ata kanë marrë pjesë edhe në luftërat në Siri dhe në disa vende afrikane. Themeluesi i “Wagner”-it, Yevgeny Prigozhin, është bashkëpunëtor i ngushtë i Kremlinit.

Në protestën e 18 dhjetorit në Jarinjë ishin të pranishëm edhe anëtarë të grupit të ekstremit të djathtë “Aksioni serb”. Në kanalin Telegram të këtij grupi joformal u publikuan disa fotografi nga ky tubim dhe në njërën prej tyre shihet një person i maskuar me flamurin e “Aksionit serb”.

Në të njëjtën fotografi, një burrë tjetër mund të shihet me një maskë të zezë me një simbol të kryqit kelt në fytyrën e tij, që, me dekada të tëra, është përdorur nga anëtarë të organizatave neo-naziste. Ai burrë kishte edhe një flamur të periudhës së Rusisë cariste.

Fotografitë u shoqëruan me një njoftim, ku thuhej se “patriotët serbë” janë mbledhur “në shenjë solidariteti me vëllezërit dhe motrat që qëndrojnë në barrikada”.

“Aksioni serb” shkruan në ueb-faqen e tij se angazhohet për “ortodoksinë serbe”, si dhe për ruajtjen e “qenies kombëtare dhe të identitetit racor”.

Anëtarët e këtij grupi të paregjistruar morën pjesë në protesta të shumta të ekstremit të djathtë dhe organizuan disa tubime përkujtimore për bashkëpunëtorët e pushtuesve nga koha e Luftës së Dytë Botërore.

REL ka raportuar më herët se përfaqësuesit e “Aksionit serb” kanë vizituar organizatën militante ultra-djathtiste “Legjioni perandorak”, në Shën Petersburg. Në vitin 2020, Departamenti amerikan i Shtetit e ka cilësuar këtë organizatë si kërcënim global terrorist.

Në Jarinjë nuk munguan as shenjat e grupit më pak të njohur të djathtë “Kormilo”.

Siç shihet në rrjetet sociale të këtij grupi, anëtarët e tij, viteve të fundit, kanë organizuar takime me organizata të ekstremit të djathtë nga Italia dhe Franca.

Në videot nga Jarinja shihen edhe anëtarët e grupit të motoçiklistëve “MC Serbët”, të cilët kanë lidhje të ngushta me ultra-djathtistët.

Anëtarët e këtij grupi mbajnë simbolin nazist – kryqin e hekurt – në xhaketat e tyre dhe stemën e kohës kur Serbia ka qenë nën pushtimin nazist.

Sonja Biserko, nga Komiteti joqeveritar i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, thotë se të djathtët kanë qenë një instrument në duart e autoriteteve, gjatë dhjetë vjetëve të fundit.

“Ata, në njëfarë mënyre, janë nën kontrollin e Qeverisë, nuk janë të pavarur. Megjithatë, kjo sigurisht që mund të dalë jashtë kontrollit”, thotë Biserko.

Me gjithë interesimin e REL-it, Presidenca e Serbisë nuk ishte e gatshme për komente, në lidhje me kërkesat e bëra në protestat e djathtistëve ditëve të fundit, si dhe me vlerësimin e analistëve se grupet e djathta janë nën kontrollin e autoriteteve.

Cilat ishin mesazhet në protestat në Beograd?

“Kosovën do ta tradhtojnë vetëm qyqarët” – me këtë slogan u mbajt një tubim protestues para Presidencës së Serbisë më 16 dhjetor.

Partitë e djathta parlamentare dhe joparlamentare të opozitës në Serbi organizuan tubim bashkëprotestues para ndërtesës së Presidencës, duke kërkuar që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, “ta ndryshojë politikën” e Serbisë ndaj Kosovës dhe t’i pezullojë negociatat që po zhvillohen në Bruksel.

Nga kjo protestë u kërkua që negociatat të rikthehen nën patronazhin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Më 12 dhjetor, protesta në “mbështetje të serbëve” në Kosovë u mbajt edhe para kishës së Shën Savës në Beograd dhe u thirr nga organizatat e djathta në Serbi.

Të tubuarit kënduan këngë nënçmuese për shqiptarët në Kosovë dhe thirrën slogane, si: “Serbët dhe rusët – vëllezër përgjithmonë” dhe “Nuk ka ndarje, Kosova është pjesë e Serbisë”. Në atë protestë, si dhe në disa të mëparshme, dukej shenja e pushtimit rus të Ukrainës: “Z”.

Biserko thotë se “vazhdimisht ruhet njëfarë tensioni” për të penguar zgjidhjen përfundimtare për Kosovën.

“Kjo gjë, deri diku, u shkon për shtat përfaqësuesve të Qeverisë sonë, por edhe Rusisë, e cila nuk dëshiron që të zgjidhet çështja e Kosovës, dëshiron status quo”, vlerëson Biserko.

Kriza në veri të Kosovës kulmoi kur grupe serbësh bllokuan rrugët më 10 dhjetor, duke penguar qarkullimin drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Barrikadat u ngritën pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-policin serb, Dejan Pantiq, i dyshuar për përfshirje në një sulm ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Autoritetet e Kosovës u përpoqën të organizojnë zgjedhje në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – pas vendimit të përfaqësuesve të serbëve atje për t’u larguar nga institucionet e Kosovës.

Deri te braktisja e institucioneve erdhi për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe në veri të Kosovës.

Me sugjerimin e BE-së dhe të SHBA-së, zgjedhjet u shtynë për në pranverë të vitit të ardhshëm./REL

 

Fraksion.com