AktualitetPolitikëTë fundit

Përfundon rindërtimi në Baldushk, Rama: 28 familje shtëpi falas

Banorët e Baldushkut, në Tiranë janë rikthyer në banesat e e tyre të rindërtuara nga e para pas shkatërrimit që pësuan nga tërmeti i fortë që goditi vendin tonë mëngjesin e 26 nëntorit të 3 viteve më parë.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në ceremoninë e mbajtur, ku i pranishëm ishte edhe kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Rama tha se ky është i pari program rindërtimi i këtij lloji, ku gjithë barrën e mban shteti dhe qytetarit nuk i ngarkohet asnjë barrë, ndërsa shtëpia është pasuri e paluajtshme e tyre.

Rama deklaroi se e gjithë lagjja është e plotësuar me të gjithë infrastrukturën publike, rrugët, trotuaret e parkimet, përfshirë edhe zonën rekreative për komunitetin.

“Ka qenë një punë jo e lehtë. Janë bërë investime të mëdha dhe kanë ecur me ritme të ndryshme për shkak se edhe konteksti ka qenë i ndryshëm. Është kënaqësi që para një tjetër viti të ri në zonën e Baldushkut përmbyllet plotësisht procesi i rindërtimit. Vitin e Ri do ta festojnë përfundimisht në shtëpinë e tyre. Provat e prekshme siç janë këto shtëpi që nuk janë projekte, nuk janë fotografi, video, por shtëpi reale, tregojnë atë që ne jemi zotuar që në krye të herës, që të gjithë ata që humbën shtëpitë në tragjedinë e madhe të tërmetit do të rimarrin shtëpi më të forta më të bukura edhe më të mëdha dhe akoma më e rëndësishme do i marrin pa paguar asnjë qindarkë dhe pa i pasur borxh asnjë qindarkë shtetit. Ky është program i parë rindërtimit në Europë”, tha Rama.

Kryeministri pati një përgjigje edhe për opozitën e cila tha ai, bëri një fushatë nxitjeje për t’ju kundërvënë programit të rindërtimit.

“Nuk ka asnjë familje shtëpia e të cilës është prishur nga tërmeti dhe të mos ketë marrë bonusin e qirasë që në krye të herës. Edhe ato familje që kanë qëndruar në çadra për shkak se kanë bagëtinë apo tokën aty pranë e kanë marrë bonusin e qirasë”, tha ai.

Në lagjen e re të rindërtuar pas tërmetit, edhe 28 familje të tjera hyjnë në shtëpi shumë më të mira dhe më të sigurta, sesa ato që humbën nga tërmeti.

 

Fraksion.com