AktualitetPolitikëTë fundit

Nesër votohet në Kuvend anëtari i Kushtetueses, Bardhi: Kandidatura e Dvoranit, e papranueshme!

Partia Demokratike nuk do të marrë pjesë në votimin për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, nesër në Kuvend. Burime nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, bëjnë me dije se sipas tyre kandidatura e Ardian Dvoranit është e papranueshme për në Gjykatën Kushtetuese.

Në mbledhjen e sotme të Grupit Parlamentar, pas sqarimeve të dhëna për problemet në procedurën kushtetuese të përzgjedhjes, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka marrë vendim për të mos marrë pjesë në votimin për anëtarin e Gjykatës Kushtetuese.

Deputeti demokrat Gazment Bardhi në një shënim në rrjetet sociale thekson se meritokracia dhe jo preferencat politike janë baza e pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese. Sipas Bardhit Gjykata Kushtetuese nuk mund të jetë kurrë seksion i Partisë Socialiste.

‘Gjykata Kushtetuese nuk mund të jetë kurrë seksion i Partisë Socialiste. Kandidatura e Ardian Dvoranit është e papranueshme për çdo opozitar! Meritokracia dhe jo preferencat politike janë baza e pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese.’- shkruan Bardhi.

Mazhoranca votoi dje kalimin për seancë plenare të tre kandidaturave, Mariana Semini, Ardian Dvorani dhe Arta Vorpsi të përcjella nga KED, duke respektuar renditjen e caktuar nga KED. Sipas ligjit, kuvendit i duhet shumica e cilësuar prej mbi 84 votash në seancë plenare për të përmbysur renditjen e KED. Në të kundërt, Mariana Semini pritet të jetë gjyqtarja që do të plotësojë vakancën në Gjykatën Kushtetuese.

 

Fraksion.com