AktualitetPolitikëTë fundit

Mitsotakis vizitë në zonat minoritare

Pas 2 muajsh ftesë publike nga kryeministri Edi Rama, vizita e homologut grek Kiriakos Mitsotakis do të realizohet më së fundmi më 22 Dhjetor dhe ajo nis nga Himara dhe më pas Derviçan.

Kjo do të jetë vizita e dytë e Mitsotakis në Shqipëri brenda një harku të shkurtër kohor prej dy javësh, por kësaj here të paktën zyrtarisht i kushtohet çështjes së minoritetit grek në Shqipëri.

Kryeministri grek mori pjesë në samitin e të 6 Dhjetorit të Bashkimit Europian në Tiranë. Mitsotakis pati takime të veçanta me kryeministrin Rama dhe Presidentin Begaj dhe në fokus të bisedimeve të tyre ishte çështja e mbetur pezull e paktit detar mes Greqisë dhe Shqipërisë.

Pikërisht për këtë çështje i paraprin dhe vizita e Ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias, i cili do të jetë në Tiranë këtë të mërkurë. Në agjendën e tij, ministri grek ka parashikuar një takim dhe më pas deklaratë të përbashkët me kryediplomaten Olta Xhaçcka dhe më pas një dreke pune me kryeministrin Edi Rama.

Greqia kërkon që për marrëveshjen e delimitimit për përcaktimin e Zonave Ekskluzive Ekonomike  të shqyrtohet nga Gjykata e Hagës, ndërsa pret nga Tirana zyrtare të zbatojë atë që Athina zyrtare e cilëson si bashkëpremtim për t’iu drejtuar verdiktit të drejtësisë ndërkombëtare.

 

Fraksion.com