Mbrëmja e XHUBLETËS në Pallatin e Brigadave, Rama publikon festën live: Video
Muret e Pallatit të Brigadave ishin veshur këtë mbrëmje me ngjyrat e etnografisë shqiptare. Në to me Xhubletën në UNESCO prej 29 nëntorit, ekspozohet, përmes një organizimi të Ministrisë së Kulturës, kostumografia shqiptare, mbi 4000-vjeçare.
Pallati i Brigadave kishte sot në “Mbrëmjen e xhubletës”, vizitorë politikanë, ambasadorë, zyrtarë të lartë, artistë, por edhe gjyshet e Alpeve, gra e vajza të Malësisë, pasi sot ishte tradita që bashkon me një emërues të përbashkët, ruajtjen e vlerave kombëtare.
Gratë veriore rrëfejnë se tradita është trashëguar brez pas brezi deri në ditë të sotme, kur me shpalljen e kësaj veshje si Pasuri e Njerëzimit, dijebërja devijon nga risku i zhdukjes. Tupanat e çiftelitë bien për të pritur vashat që sfilojnë në koridoret e Pallatit të Brigadave, bukurinë e Xhubletës shqiptare. Ajo vjen e veshur deri tek vogëlushet që ngjisin shkallët si simbol i premtimit se trashëgimia do vijojë të ruhet.
“Sot krenohem kaq shumë që këtë pasuri kombëtare e shoh të veshur që tek gratë e reja, e deri tek vogëlushet e tyre”, rrëfehet një prej zonjave veshur me xhubletë, duke shprehur mirënjohjen ndaj ministres së Kulturës, që bëri të mundur ruajtjen e kësaj tradite 4 shekullore.
E pranishme gjatë kësaj mbrëmje është edhe Lena Linadi, 73-vjeçe e cila rrëfen lidhjen e saj me këtë dukuri të rrallë të trashëgimisë sonë. Ajo tregon se xhubletën e pat veshur për herë të parë në martesë, kur sapo kish prek të 18-tat.
“Jam e lumtur që kam veshur xhubletën, që e kemi të trashëguar brez pas brezi. Unë nga gjyshja ime, e ajo nga nëna e saj. U bëj thirrje që ta veshin të gjitha të rejat që mos të humbasë se është një veshje kombëtare “, thotë Lena, duke rrëfyer se emocionet e kësaj dite janë më të mëdha se herën e parë që veshi xhubletën.
Ministrja e Kulturës prezantoi gjatë mbrëmjes një video dedikuar veshjes kombëtare, e cila nis me dy vogëlushë që mbajnë petkat e traditës kombëtare me kostumet tipike, tirqe e xhublet. Tradita muzikore e etnografia e kësaj pasurie, shpalosen në materialin e përgatitur. Në video përpos shqiptareve mbanin veshur xhubletën dhe gra nga vende te mdryshme te botes: Japoni, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kamerun, Suedi etj.
“Tashmë xhubleta është e gjithë njerëzimit dhe jo vetëm e jona! Xhubleta është një kod, i qepur me harmoni e përsosmëri, me kallëpet e rralla që i japin formë perfekte kësaj këmbane që lëviz ajrin në mënyrë të magjishme. Pa gratë e Malësisë xhubleta nuk do të ishte kjo xhubletë “, thotë Margariti.
Ndërkaq në sytë e vizitorëve, janë zonjat veriore që dëshmojnë në sytë e të gjithëve thurrjen e xhubletës, si një art më vete. Tole Lekaj Berisha, nga Tuzi, rrëfen po ashtu vlerat e xhubletës 4000-vjeçare.
“Xhubletën e kam mësuar 70 vite më parë, dhe nuk e kam lëshuar kurrë. Nuk e mendoja se do të vinte kjo ditë,e dhe pse e kam dashur me zemër. E kam punuar këtë veshje me qejf, ditë e natë. Që kjo kulturë të përhapet e mos të humbasë. E jona është e jona”, thotë e moshuara.
E moshuara në formë mirënjohjeje i ka dhuruar sot kryeministrit Edi Rama një xhubletë të punuar nga duart e saj, e cila iu dorëzua ministres së Kulturës.
“Do të jetë pjesë e koleksionit të muzeut të dhuratave të çmuara në Kryeministri”, u shpreh ministrja Margariti.
Ndërkaq Pallati u shndërrua në një punishte, ku gratë ilustruan të gjithë procesin e dijebërjes ,që nga zgjedhja e leshit te endja ne vegje, duke e shpjeguar atë për të pranishmit.
Fraksion.com