AktualitetPolitikëTë fundit

Marrëdhënie speciale me Izraelin, Balla pret ambasadoren Peleg

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla priti sot në një takim ambasadoren e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg.

Balla vlerësoi se marrëdhëniet e Shqipërisë me shtetin e Izraelit janë mjaft speciale dhe të shkëlqyera.

“Ndërsa vitin e ardhshëm Izraeli festoi 75-vjetorin e krijimit, si në çdo janar do të përkujtojmë viktimat e Holokaustit. Shqipëria është vendi i vetëm në Europë me më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore sesa përpara saj dhe është vendi që u kthye në një strehë të sigurt për hebrenjtë, të cilët erdhën pikërisht për të gjetur strehë e për të shpëtuar jetën e tyre e të familjeve”, u shpreh Balla.

Sipas tij, “në themel të këtij fakti të gjithëpranuar botërisht, pra të mikpritjes shqiptare për hebrenjtë, qëndron kodi i nderit i shqiptarëve, që përcakton se ‘shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut’ dhe se miku ka besën e shqiptarit, i cili është i gatshëm ta mbrojë me jetën e tij”.

Balla informoi se në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të viktimave të Holokaustit, më 27 janar, i ka propozuar Kuvendit të Shqipërisë organizimin e një seance të posaçme përkujtimore.

 

Fraksion.com