Kushi: “Art, zeje dhe sport”, nga janari zbatohet në 200 shkolla
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi informoi sot se nga muaji janar 2023 do të fillojë programi i ri “Art, zeje dhe sport”, i cili fillimisht do të zbatohet në 200 shkolla për t’u shtrirë më pas në gjithë vendin.
Në ceremoninë e ndarjes së certifikatave për finalistët e konkursit “Shqipëria Ime”, Kushi u shpreh se ky program ka për qëllim jo vetëm zbulimin dhe zhvillimin e talenteve, por edhe që të nxisë tek nxënësit një jetë të shëndetshme, sa më larg celularëve apo tabletave.
“Programi synon të nxisë sa më shumë jetë kulturore, artistike, jetë së bashku me njëri-tjetrin dhe mësuesit. I kemi marrë të gjitha masat, do ta fillojmë në 200 shkolla dhe do ta zgjerojmë në të gjithë vendin”, tha ajo.
Duke folur për konkursin “Shqipëria ime”, Kushi tha se tashmë është bërë një traditë për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.
“E organizojmë çdo vit në prag të festave të nëntorit dhe e bazojmë në tre parime kryesore. Së pari të zbulojmë, të zhvillojmë dhe mbështesim talentet. Gjatë këtij konkursi ne kemi zbuluar talente të jashtëzakonshme. Shpeshherë talentet janë aty, por i duhet dhënë një mundësi për ta zbuluar. Kemi zbuluar Marion nga Shkodra, i cili ka pikturuar gjyshen e tij me veshje tradicionale. Një pikturë e jashtëzakonshme dhe ia ka bërë dhuratë gjyshes për 85-vjetorin. Po kështu edhe Edseli që ka pikturuar vajzën me veshje tradicionale. Edseli është shumë e vogël por e ka pikturuar aq bukur sa që njerëzit nisën të dyshonin nëse e ka bërë vetë këtë pikturë apo jo”, tha ajo.
Parimi i dytë i këtij konkursi, sipas ministres, “është gjithëpërfshirja”.
“Në fakt gjithëpërfshirja është parimi ynë bazë, vizioni ynë bazë në sistemin arsimor. Shumë njerëz na kanë pyetur pse e organizoni konkurs digjital dhe jo si të gjitha konkurset e tjera tradicionale që nxënësit të vijnë bashkë me pikturat e tyre. Në fakt ne nëpërmjet këtij konkursi digjital u kemi dhënë mundësi të gjithëve. Edhe nxënësve që jetojnë shumë larg. Edhe atyre që nuk i kanë mundësitë ekonomike që të vijnë çdo herë në Tiranë. Apo edhe ata që nuk i kanë kushtet familjare që dikush të vijë t’i shoqërojë”, tha ajo.
Kushi theksoi se në këtë konkurs kanë marrë pjesë me mijëra nxënës nga gjithë Shqipëria, ndërsa një komision ekspertësh ka përzgjedhur 90 pikturat më të mira të ndara në tre kategori: arsim fillor, arsim i mesëm i ulët dhe arsim i mesëm i lartë.
Sipas ministres, parimi i tretë i këtij konkursi është promovimi i vlerave më të mira shqiptare. “Ky është një konkurs që nxit edhe vlerat e atdhedashurisë dhe krenarisë kombëtare”, tha ajo.
Fraksion.com