Gjykata lë në fuqi përkohësisht kufizimet për azilkërkuesit në kufijtë e SHBA-së
Gjykata e Lartë në Shtetet e Bashkuara lëshoi një urdhër të përkohshëm për të mbajtur në fuqi kufizimet e vendosura gjatë pandemisë, që i ndalon emigrantët të kërkojnë azil në Shtetet e Bashkuara.
Fati i mijëra emigrantëve që presin në kufirin SHBA-Meksikë është i paqartë ndërsa urdhri i Gjykatës u lëshua në prag të përfundimit të afatit të urdhrit ekzekutiv, të njohur si Titulli 42, që i lejon autoritetet t’i kthejnë pas emigrantët e kapur në kufirin e SHBA-së. Urdhri ekzekutiv, i vendosur gjatë administratës së ish-Presidentit Donald Trump skadon më 21 dhjetor.
Me lëshimin e urdhrit të përkohshëm, kryetari i Gjykatës së Lartë John Roberts i kërkon administratës se Presidentit Biden të përgjigjet brenda ditës së sotme, pra disa orë para përfundimit të Titullit 42.
Shtetet konservatore, që u ankuan në Gjykatën e Lartë, argumentuan se heqja e kufizimeve, do të shkaktonte një rritje të lartë të numrit të emigrantëvë duke mbingarkuar shërbimet jetike, si kujdesin shëndetësor dhe rendin, dhe paralajmëruar për një “krizë në kufijtë jugorë”.
Përfaqësues të këtyre shteteve kanë akuzuar qeverinë federale se nuk ka asnjë plan për të menaxhuar rritjen e fluksit të emigrantëve. Në janar, republikanët do të marrin drejtimin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe çështja e emigrantëve pritet të jetë në krye të agjendës.
Që nga marsi i vitit 2020, kur hyri në fuqi urdhri egzekutiv për moslejimin e emigrantëve nën arsyen e mospërhapjes së pandemisë Covid-19, janë refuzuar 2 milionë e gjysmë kërkesa azili, bazuar në ligjet ndërkombëtare dhe ato amerikane./voa
Fraksion.com