AktualitetPolitikëTë fundit

Firmoset marrëveshja për blerjen e dronëve “Bayraktar”, Rama: Tre të parët të armatosur për çdo rast

Shqipëria dhe firma turke “Bayraktar” firmosën sot marrëveshjen për blerjen e flotës së dronëve pa pilot, teknologjia më e lartë e fluturimeve për misione ushtarake, policore dhe civile.

Këto dronë do të jenë në funksion të sigurisë kombëtare, të luftës kundër krimit e kultivimit të paligjshëm të hashashit, të emergjencave civile, mbrojtjes së territorit dhe mbledhjes së informacioneve gjeohapësinore.

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në ceremoninë e firmosjes së marrëveshjes duke falënderuar Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se “Erdogan  ka qenë thelbësor në këtë proces sepse ne të gjithë e dimë kur vjen fjala për mjetet pa pilot, dronët siç njihen sot nuk ka të bëjë vetëm me të pasurit e parave, por ka të bëjë edhe me faktin që të jesh i aftë, që të kalosh edhe të shtysh në radhë se radha është shumë e gjatë dhe nga ana tjetër është fakti i të qenit në anën e duhur”.

“Jemi shumë krenare që së bashku me Turqi dhe presidentin Erdogan të jemi nga ana e duhur, të rreshtuar në aleancën më të madhe ushtarake atë të  NATO-s dhe të jemi të rreshtuar në një partneritet mjaft strategjik midis nesh dhe Turqisë. Kjo është një ditë shumë e mirë për bashkëpunimin tonë, forcave të armatosura dhe ministrive të mbrojtjes së dy vendeve. Kjo është një marrëdhënie po bëhet gjithmonë e më e mirë, është e natyrshme dhe është ndërtuar përgjatë viteve. Sot është në pikën e saj më të mirë po  ne duam ta bëjmë më mirë. Jam i sigurt që me këtë marrëveshje jo vetëm po sjellim në Shqipëri teknologjinë më të mirë në këtë fushë, por sjellim një fushë të re njohurish. Kjo marrëveshje nuk është vetëm për të blerë dronët, por dhe për ndërtimin e një ure midis forcave tona të armatosa dhe Kompanisë “Bayraktar”, e cila do të kujdeset për trajnimin e njerëzve. Flasim për më shumë se 30 persona që do të përzgjidhen me shumë kujdes me ndihmën e kompanisë “Bayraktar”. Do të përgatiten për të marrë përsipër funksionimin e qendrës së kontrollit që do të jetë objekti i teknologjisë më të lartë në bazën ajrore të Kuçovës”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “ne kemi nënshkruar për paketën e plotë, tre dronët e parë do të jenë të gatshëm për çdo rast, të armatosur për çdo rast. Do të jenë gati edhe për një plan aktivitetesh për mirëqeverisjen e vendit, sigurimin e pronave, zbatimin e ligjit dhe rastet e emergjencave civile. Do ta ndihmojë të monitorojmë trafikun, personat e kërkuar nga policia dhe për monitorimin e territorin dhe të arrijmë kapacitet të fjalës së fundit për luftimin e kultivimit të narkotikëve dhe luftën kundër ndërtimeve të paligjshme”.

“Është e pamundur të falënderoj mjaftueshëm presidentin Erdogan, mikun e kombit tonë dhe ministrin e Mbrojtjes së Turqisë, pasi i gjithë ky operacion nuk ishte i lehtë. Dua të falenderoj me zemër edhe drejtorin ekzekutiv, i cili është treguar kaq i sjellshëm dhe na ka ofruar kushtet më të mira”, tha Rama.

Kreu i ekzekutivit u shpreh se “tre dronët që do të vijnë do të jenë të armatosur dhe të gatshëm për çdo rast, kur dhe ku shpresoj të mos ndodhë kurrë, por nuk jetojmë në kohë shumë të sigurta. Ato do të jenë gati edhe për një gamë të plotë aktivitetesh që do të jenë dobiprurëse për mirëqeverisjen në vend për sundimin e ligjit në vend, për sigurimin e pronave në vend kështu edhe për personat që për shkak të situatave të emergjencave civile mund të jenë të rrezikuar”.

“Dronët do na ndihmojnë  që të monitorojmë trafikun, që të ndjekin personat e kërkuar, do t’i shërbejnë edhe policisë edhe për të monitoruar territorin dhe të arrijnë kapacitete të fjalës së fundit për të luftuar përdorimin e narkotikëve, zjarret në pyje, lufta kundër ndërtimeve të paligjshme shfrytëzimit të pronave në dëm të pronës publike”, u shpreh Rama.

 

Fraksion.com