AktualitetBota+Të fundit

Çfarë është Akti i Reformës së Numërimit Zgjedhor të Kongresit Amerikan?

Kongresi amerikan është gati të miratojë një ligj që do të qartësonte mënyrën e certifikimit të zgjedhjeve presidenciale, duke synuar të parandalojë një përsëritje të kaosit që pasoi humbjen e ish-presidentit Donald Trump në zgjedhjet e vitit 2020.

Çfarë përmban Projekt-ligji mbi Reformën e Numërimit të Votave, që përfshihet në paketën e financimit të qeverisë e cila duhet të miratohet deri në fund të vitit?

SYNIMI – PARANDALIMI I NJË 6 JANARI TJETËR

Përpjekja dypartiake do të riformulojë Aktin e vitit 1887 për Numërimin e Votave, i cili përcakton procesin me të cilin Kongresi numëron rezultatet shtet për shtet në zgjedhjet presidenciale dhe certifikon zyrtarisht fituesin. Kritikët thonë se ligji nuk është i shkruar siç duhet dhe lë vend për keqinterpretime.

Sesioni i Kongresit, i cili zhvillohet afërsisht dy muaj pas zgjedhjeve, shihej kryesisht si një formalitet derisa mbështetësit e zotit Trump sulmuan Kapitolin më 6 janar të vitit 2021, në një përpjekje të pasuksesshme për të penguar ligjvënësit që të certifikonin fitoren e demokratit Joe Biden.

Donald Trump dhe këshilltarët e tij përmendën dispozitat e ligjit të vitit 1887 teksa u bënin presion aleatëve republikanë për të ndryshuar rezultatin.

MBËSHTETJE DYPARTIAKE

Ndërsa reforma të tjera të ligjit zgjedhor janë rrëzuar në Kongres këtë vit për shkak të opozitës republikane, Akti i Reformës së Numërimit të Votave ka mbështetje të fuqishme dypartiake, të paktën në Senat.

I hartuar nga senatorja republikane Susan Collins dhe senatori demokrat Joe Manchin, të dy të moderuar, projektligji mbështetet nga udhëheqësit republikanë dhe demokratë.

Në një votim të komisionit në shtator, vota e vetme “jo” u hodh nga senatori republikan Ted Cruz, i cili udhëhoqi përpjekjet në Kongres për të bllokuar certifikimin më 6 janar.

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një projekt-ligj të ngjashëm në shtator, me votat e ndara kryesisht në vija partiake.

ÇFARË DO TË REALIZOJË PROJEKT-LIGJI?

Ligji do të saktësonte se nënpresidentët luajnë vetëm një rol ceremonial kur Kongresi numëron rezultatet e zgjedhjeve shtet pas shteti dhe certifikon rezultatin.

Trumpi i kishte kërkuar nënpresidentit të tij, Mike Pence, të parandalonte ligjvënësit që të çertifikonin fitoren e zotit Biden. Kur zoti Pence tha se nuk kishte autoritetin për ta bërë këtë, zoti Trump e denoncoi atë në një tubim dhe mbështetësit e tij kërcënuan se do ta vrisnin nënpresidentin ndërsa sulmuan Kapitolin.

Ligji gjithashtu do ta bënte më të vështirë për ligjvënësit që të ndërhynin në proces, duke kërkuar miratimin e një të pestës së Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit për të shqyrtuar një sfidë ndaj rezultateve të një shteti.

Ligji aktual kërkon që Kongresi të shqyrtojë një sfidë nëse vetëm një ligjvënës nga çdo dhomë e Kongresit ngre një kundërshtim. Kjo ndodhi më 6 janar, duke kërkuar që Kongresi të shqyrtonte kundërshtimet e pabaza ndaj fitoreve të zotit Biden në Arizona dhe Pensilvani pasi ligjvënësit u fshehën nga turma e dhunshme pro-Trumpit që sulmoi Kongresin.

Kongresi përfundimisht i hodhi poshtë këto kundërshtime, megjithëse tetë republikanë të Senatit dhe 139 republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve i mbështetën ato.

Ligji gjithashtu do të përcaktonte se vetëm guvernatori i një shteti, ose një zyrtar tjetër i caktuar me ligj, do të lejohej të dorëzonte rezultatet e zgjedhjeve.

Kjo do të pengonte strategjinë e ndjekur nga ish-presidenti Trump në vitin 2020 për rekrutimin e ligjvënësve simpatizantë të tij për të paraqitur rezultate “alternative” që do të tregonin se ai fitoi shtete që ai në të vërtetë i humbi. Donald Trump tani përballet me hetime penale nga Departamenti i Drejtësisë dhe një prokuror i Xhorxhias për atë përpjekje.

TRANZICIONET PRESIDENTIALE

Projektligji sqaron gjithashtu se si një kandidat fitues mund të krijojë administratën e tij përpara se të marrë detyrën – një proces tjetër rutinë që u përmbys pas zgjedhjeve të vitit 2020 nga zoti Trump.

Puna e tranzicionit për zotin Biden u ndal për disa javë pas zgjedhjeve, kur drejtuesja e Administratës së Shërbimeve të Përgjithshme (GSA), Emily Murphy, refuzoi të lëvronte fonde për ta lejuar një gjë të tillë.

Ligji i ri përcakton se GSA do t’u japë fondet e tranzicionit për të dy kandidatët nëse asnjëri nuk ka pranuar humbjen pesë ditë pas ditës së zgjedhjeve, por do t’i ndërpresë fondet humbësit pasi rezultati të jetë i qartë./VOA

 

Fraksion.com