Berisha: U përdorën të gjitha mjetet që PD të vendosej nën kontrollin e qeverisë, por dështuan
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha theksoi sot se “ia dolëm të transformojmë PD-në, nga një forcë politike e cila kishte hyrë në një letargji, për të mos thënë në një agoni, në një opozitë të vërtetë, të fuqishme, në një opozitë e cila rivendosi në themelet e saj, riktheu vlerat mbi të cilat ajo ishte themeluar”.
Në fjalën e tij gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Berisha tha se “mblidhemi sot pas 1 viti përpjekjesh intensive, pas 1 viti në të cilin Ky ishte një vit i vështirë për PD-në. Do ta quaja një vit të paprecedentë në historinë e një force politike. Kundër saj, për ta mbajtur atë fasadë opozitë, u përdorën të gjitha mjetet, u përdorën i gjithë potenciali korruptiv i qeverisë më të korruptuar në Evropë”.
“U përdor i gjithë potenciali kriminal, i qeverisë më të lidhur me krimin në Evropë. U përdor mafia ndërkombëtare e Sorosit. Të gjitha këto në funksion të një regjimi, i cili ka vendosur monizmin e plotë në Shqipëri. Në funksion të një regjimi që ka vendosur praktika genocidale për qytetarët shqiptarë, me qëllim që ata të largohen nga vendi i tyre. Të gjitha këto, duke përdorur çdo lloj, të tre pushtetet, apo për të mos thënë të gjitha pushtetet, në mënyrë që forca jonë politike të mos ngrihej në këmbë, të mos ishte sovrane”, theksoi Berisha.
Duke folur për primaret, Berisha tha se sot të gjithë kandidatët tanë për primare vijnë produkt i votës së anëtarësisë dhe simpatizantëve tanë.
“Krahasoni rivalët e tyre se si dalin nga shpella e mafias. Nëse në Tiranë shkëlqeu një garë e hapur mes 7 kandidatëve, të vetëdeklaruar, propozuar, mbështetur nga ju, në krahun tjetër bëhet një betejë e koskave mafioze që pasqyrohet në tërë veprimtarinë e saj”, theksoi Berisha.
Berisha u shpreh se primaret ishin risia më madhore që PD ka sjellë nga themelimi, gjer sot.
“Nuk ishin të përsosura, por në tërësinë e tyre, ato mbeten një zhvillim historik jo vetëm për PD-në, por edhe për demokracinë shqiptare. Çdo problem i krijuar gjatë tyre do të shqyrtohet, analizohet, pasqyrohet në praktikën tonë. Ato janë praktika më demokratike që një forcë politike mund të përdorë”, tha Berisha.
Fraksion.com