Dita e dhjetë e barrikadave në veri
Për të dhjetën ditë me radhë, grupe serbësh në veri të Kosovës janë duke bllokuar rrugët, në shenjë kundërshtimi ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq.
Në barrikada e kanë për obligim të qëndrojnë edhe punonjësit e institucioneve publike, që funksionojnë nën sistemin e Serbisë.
I ashtuquajturi shtab i krizës paralajmëroi për sot kremtimin e festës ortodokse të Shën Nikollës te barrikadat në fshatin Rudarë.
Nxënësit e shkollave fillore, pas ndërprerjes së mësimit për një javë, nga sot janë në klasa, por me orë të shkurtuara në 30 minuta.
Nxënësit e shkollave të mesme do t’i ndjekin mësimet online.
Në veri të Mitrovicës është qetë, ndërsa vërehen patrullime të pjesëtarëve të misionit të NATO-s, KFOR, dhe të misionit evropian, EULEX.
Pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë të vendosur në pjesët multietnike të Mitrovicës së Veriut, si Mëhalla e Boshnjakëve dhe Tre Rrokaqiejt.
Në sportelet e bankave që funksionojnë nën sistemin e Serbisë ka para, ndërsa disa bankomatë nuk janë në funksion, ose nuk janë rimbushur me para./REL
Fraksion.com