AktualitetBota+Të fundit

Pasojat e ndryshimeve klimatike në vitin 2022 përmes fotografive të agjencisë Associated Press

Gjatë vitit 2022, fotografët e agjencisë Associated Press realizuan fotografi që dëshmojnë ndryshimet klimatike dhe mënyrën se si ato ndikuan në jetët e shumë njerëzve.

Pasojat janë të dukshme në vendet që janë goditur nga thatësirat, si pasojë e mungesës së reshjeve të shiut.

Fotografi të tjera tregojnë dëmet e shkaktuara nga stuhitë e forta, përmbytjet, nxehtësia vdekjeprurëse dhe zjarret.

Në këto fotografi vërehen pasojat në të korrat, që e thelluan urinë në botë.

Në përgjithësi, miliona njerëz u detyruan të zhvendosen sepse vendet ku jetonin, u bënë të pabanueshme.

Viti 2022 do të mbahet mend për dëmet e shkaktuara nga ngrohja globale e planetit, që sipas shkencëtarëve, është një tregues i motit ekstrem që mund të përfshijë tokën në të ardhmen.

TOKA QË ZIEN

Në qershor, dy të rinj qëndrojnë pranë një barke e cila dikur ishte e zhytur në ujë. Niveli i ujit në disa pjesë të liqenit Mead në Nevada ka rënë aq shumë sa anija tani po qëndron e zhytur në baltë. Pamje të ngjashme mund të shihen edhe në shumë vende të tjera.

Në Gjermani, thatësira dhe një infeksion la shumë pemë të pyllit Harz të zhveshura.

Në Kenia nënat luftuan për të ushqyer fëmijët e tyre ndërsa kafshët ngordhën për shkak të mungesës së ujit.

Përgjatë lumit Solimoes në Amazonën braziliane, banorët e shtëpive të vendosura mbi ujë përfunduan të zhytur në baltë si pasojë e thatësirave.

Në lindje të Francës, luledielli duket i skuqur me gjethe të thara dhe fara të nxira. Plagët e sipërfaqes së Tokës u vërejtën edhe në shkëmbinjtë nënujorë të ekspozuar pas uljes së nivelit të ujit në Liqenin e Madh të Kripur të Jutahut, shtratin e plasaritur të liqenit Velence të Hungarisë dhe lumin e tkurrur Yangtze në Kinën jugperëndimore.

STUHITË DHE PËRMBYTJET

Mungesa e shiut në shumë vende shkaktoi dëme, por në disa vende të tjera reshjet e tepërta shkatërruan jetë dhe relievin.

Kishte raste kur i njëjti rajon, në një periudhë të shkurtër kaloi nga thatësirat në përmbytje.

Vendi më i goditur nga përmbytjet ishte Pakistani. Një e treta e territorit të tij u zhyt në ujë, miliona njerëz u zhvendosën dhe të paktën 1 mijë e 700 persona vdiqën.

Por shumë vende u goditën rëndë nga stuhitë.

Në Kubë, një ciklon tropikal në qershor shkaktoi përmbytje aq të mëdha sa ekipet e shpëtimit lëvizën rrugëve të Havanës me varka.

Vetëm pak muaj më vonë, uragani Ian u goditi ishullin para se të vazhdonte drejt Floridës, duke shkaktuar vdekje e dëme të mëdha.

Përmbytje të mëdha pati edhe në disa pjesë të Nigerisë, Indisë, Indonezisë dhe shumë vende të tjera, ndërsa në një pjesë të Brazilit rrëshqitjet e dheut pas përmbytjeve shkaktuan vdekjen e mbi 200 njerëzve.

Natyrisht pati edhe përpjekje të njerëzve për t’u përgatitur dhe përballuar më mirë përmbytjet.

Autoritetet kineze vazhduan të zhvillojnë dhe zgjerojnë të ashtuquajturat “qytetet nga sfungjeri”, të cilat synojnë të përdorin trotuaret poroze dhe hapësirat e gjelbra për të thithur ujin dhe zbutur dëmet nga përmbytjet.

NXEHTËSI DHE ZJARR

Viteve të fundit, zjarret janë bërë të zakonshme në të gjithë perëndimin e Shteteve të Bashkuara mes një thatësire 23 vjeçare dhe temperaturave në rritje.

Krahasuar me vitin e kaluar, gjatë vitit 2022 Kalifornia, shteti më i goditur amerikan, është përballur me më pak zjarre – megjithëse zjarret vazhdojnë të jenë problem serioz për shumë vende.

Amerika nuk ishte e vetme. Me zjarre janë përballur edhe Portugalia, Greqia, Argjentina dhe shumë vende të tjera.

Fotografitë e një dhome ndenjeje e përfshirë nga flakët, një grua që evakuohet nga një oficer policie dhe një burrë që përdor një degë peme për të penguar përhapjen e zjarrit shërbejnë si kujtesë për shkatërrimet që mund të shkaktojnë zjarret.

Së bashku me zjarret, ka pasur edhe periudha kur toka është përballur me nxehtësi ekstreme. Fotografia e një ushtari britanik, i djersitur dhe i veshur me një kapelë tradicionale prej lëkure ariu jashtë Pallatit Buckinghman, tregon realitetin e shumë britanikëve, kur temperturat arritën në 40.3 gradë Celsius, një rekord i ri për vendin.

Njerëzit gjenin mënyra të ndryshme për t’u përballur me temperaturat që ngjanin me kushtet e një saune.

Në Madrid, prindërit dhe fëmijët gjenin freski në një shatërvan të qytetit.

Në Los Anxhelos, një grua feskohet nga një pompë uji në rrugë.

USHQIMI NËN RREZIK

Në tetor, Willbur Kuzuzuk nxjerr një fokë buzë lagunës në Shishmaref, një qytet në Alaskën perëndimore që është në prag të zhdukjes për shkak të ndryshimeve klimatike.

600 banorët e fshatit Inupiat nuk u larguan nga shtëpitë e tyre pavarësisht pasigurive me të cilat përballen, duke përfshirë furnizimin me ushqim, ndërsa ngrohja nxit përmbytjet e tokës dhe dëmton habitatet.

Por banorët si Kuzuzuki e dinë se ditët e Shishmarefit janë të numëruara. Qyteti ka votuar dy herë për t’u zhvendosur, por ende asgjë nuk është bërë në këtë drejtim.

Mungesa e furnizimit me ushqim ishte kërcënim për të gjithë botën. Në Indi përmbytjet dëmtuan misrin dhe kulturat e tjera bujqësore, duke mos u lënë zgjidhje tjetër fermerëve përveçse të shpëtojnë aq sa munden.

Në Kenia dhe vendet përreth, thatësira ndikoi në krizën e urisë dhe shtyu banorët të gjurmojnë gjithnjë e më thellë në kërkim të ujërave nëntokësore, jetike për shumë njerëz.

Në Kanada, zogjtë e gjirit verior u desh të udhëtonin më larg dhe të zhyten më thellë në ujërat më të ftohta për të gjuajtur peshq.

Sigurisht kishte edhe histori suksesi. Në një pjesë të Amazonës braziliane, banorët vendosën kufizime për numrin e peshqve gjigantë “pirarucu”që mund të kapen, duke mundësuar shumimin e tyre.

MIGRIMI SI PASOJË E NDRYSHIMEVE KLIMATIKE

Si pasojë e këtyre problemeve, miliona njerëz u detyruan të zhvendosen.

Ky fenomen ishte më i dukshëm në Somali, ku thatësirat e mëdha shkaktuan uri dhe nxitën mijëra njerëz të largohen.

Shumë migrantë përfunduan në kampe të improvizuara, si ai në Dollowu Të rriturit dhe fëmijët shihen duke kërkuar dëshpërimisht ushqim dhe ujë.

Pjesa më e madhe e migrimit u bë brenda kufijve. Në rajonin Ladakh të Indisë, efektet e ndryshimeve klimatike vërehen në një shkretëtirë të ftohtë malore në kufi me Kinën dhe Pakistanin, duke detyruar shumë njerëz të braktisnin fshatrat.

Rritja e nivelit të detit ishte ndër arsyet kryesore të migrimit në Indonezi.

Në Kenia, një grua e quajtur Winnie Keben humbi këmbën nga sulmi i një krokodili. Ajo fajëson rritjen e nivelit të ujit rreth liqenit Baringo, duke sjellë kafshët më afër njerëzve.

Shumë shkencëtarë thonë se kjo është si pasojë e ndryshimeve klimatike.

Edhe shtëpia e zonjës Keben u shkatërrua, duke e detyruar familjen e saj të zhvendoset në një fshat tjetër.

 

Fraksion.com