AktualitetTë fundit

Zgjedhja e Dumanit, reagon Bashkimi Europian: Tani, SPAK-u më efektiv

Ambasadorja e delegacionit të BE në Shqipëri, Christiane Hohmann ka reaguar ndaj zgjedhjes së kryetarit të ri të SPAK-ut, Altin Dumani, duke e përshëndetur atë.

Tashmë do kemi një Prokuroi të Posaçme më efektive e cila do ndihmojë në suksesin e reformës në drejtësi, tha përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian në Tiranë.

“Mirëpres zgjedhjen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë të zotit Altin Dumani si Kryetar i ri i SPAK. Urime! Shpreh vlerësimin tim të lartë për z. Arben Kraja për punën e bërë gjatë tre viteve të fundit. Një SPAK efektiv është thelbësor për suksesin e reformës në drejtësi”, u shpreh Hohmann.

Dumani, u zgjodh në postin e drejtuesit të ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për tre vitet e ardhshme. Ai ishte një nga tre kandidatët në garë së bashku me dy prokurorët e tjetër Edvin Kondili, dhe Adnan Xholi.

Përpara se Këshilli i Lartë i Prokurorisë të shprehej me votë, kandidatët paraqitën platformat e tyre dhe iu përgjigjën pyetjeve të ndryshme. Këshilli i Lartë i prokurorisë përbëhet nga 11 anëtarë, por në votim nuk mori pjesë njëri prej tyre.

Dumani arriti të siguronte mbështetjen e 5 anëtarëve të KLP-së, përkundrejt 4 votave që shkuan në favor të kandidatit Kondili. Vetëm një votë ishte për prokurorin Xholi.

 

Fraksion.com