AktualitetBota+Të funditTeknologji

Twitter pezullon llogaritë e gazetarëve që postojnë për Elon Musk

Twitter pezulloi llogaritë e disa gazetarëve, përfshirë gazetarët e The New York Times, Washington Post, CNN dhe Zërit të Amerikës.

Kompania nuk u shpjegoi gazetarëve pse mbylli llogaritë dhe hoqi profilet e tyre dhe postimet e kaluara.

Pronari i ri i Twitter-it, Elon Musk në një postim në platformën e mediave sociale akuzoi gazetarët për publikimin e informacionit privat për vendndodhjen e tij.

Në postimin e Musk-ut në Twitter thuhet: “Për gazetarët zbatohen të njëjtat rregulla si për të gjithë të tjerët. Është në rregull që ju të më kritikoni gjatë gjithë ditës, por nuk është në rregull nëse zbuloni vendndodhjen time në kohë reale dhe rrezikoni familjen time”.

Pas incidentit, kryeredaktori i “Washington Post”, Sally Buzbee bëri thirrje për rikthimin e menjëhershme të llogarisë në Twitter të reporterit të teknologjisë, Drew Harwell.

Buzbee shtoi se “Pezullimi minon drejtpërdrejt pretendimin e Elon Musk-ut se ai synon të drejtojë Twitter-in si një platformë kushtuar lirisë së shprehjes”.

Në një deklaratë nga CNN thuhet se: “Pezullimi i pamenduar dhe i padrejtë i llogarive të një numri gazetarësh, përfshirë Donie O’Sullivan të CNN, është shqetësues, por jo befasues. Paqëndrueshmëria në rritje e Twitter-it duhet të jetë shqetësim i madh për çdo përdorues të Twitter-it. Ne i kërkuam kompanisë shpjegim dhe ne do të rivlerësojmë marrëdhënien tonë bazuar nga kjo përgjigje”.

– Elon Musk për rregullin e ri në Twitter

Musk pezulloi më parë një llogari që publikonte informacionin e fluturimit të avionit të tij privat, duke kërcënuar se do të padiste pronarin e tij.

Nuk u dhanë detaje se cilat rregulla shkeli studenti 20-vjeçar, Jack Sweeney i cili u bë i njohur duke publikuar të dhënat për fluturimet private të Musk-ut.

Pas ngjarjes, Musk shkroi në Twitter se automjeti që mbante djalin e tij të quajtur “X Æ A-12” në Los Angeles u gjurmua, të dhënat e vendndodhjes u vodhën. “Po ndërmerren veprime ligjore kundër Sweeney dhe organizatave që mbështesin dëmtimin e familjes sime”, shkroi Musk.

 

Farksion.com