AktualitetPolitikëTë fundit

“Shqipëria, progres të jashtëzakonshëm”, Gjiknuri takim me studentë në Elbasan: Unë nuk do ta ndaja Elbasanin nga Tirana

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri i shoqëruar dhe nga kryebashkiaku Gledian Llatja zhvilloi një bashkëbisedim me studentë në Elbasan.

Gjiknuri, që është njëherësh dhe drejtues politik i qarkut, nënvizoi se Elbasani ofron të gjitha mundësitë që të rinjtë të qëndrojnë në vend.

“Elbasani ka reputacionin e trashëguar të një qyteti sikur ka qenë vetëm industrial. Në fakt Elbasani ka filluar një transformim të madh. Mbase ky është dhe avantazhi i Elbasanit. Vërtet ka qenë dikur qytet industrial dhe nuk ka përse të mos jetë prapë qytet industrial, sepse ka një pozicion shumë të mirë gjeografik, është afër kryeqytetit, është në kërthizën e Shqipërisë, është në qendër të një udhëkryqi rrugësh të Shqipërisë dhe faktikisht përspektivën e ka goxha të madhe për të qenë qendër e zhvillimit. Unë them që është mundësi e mirë ku të rinjtë e Elbasanit mund të krijojnë mundësi shumë të mira me Tiranën, qoftë për të ardhmen e tyre, qoftë për biznesin. Unë nuk do ta ndaja Elbasanin nga Tirana për sa i përket fatit të zhvillimit”, tha ai.

Numri dy i socialistëve deklaroi se nën drejtimin e PS, i është kushtuar një vëmendje e shtuar të rinjve. “Jam i bindur që energjinë e të rinjve do ta kthejë në moto të programit të tij. Jo vetëm për të pasur sa më shumë të rinj dhe të reja në Bashki, jo vetëm për të pasur dhe ne në këshillin bashkiak sa më shumë të rinj dhe të reja, por ti mirëkuptojë, të ndjekë atë që doni ju. Me Gledin, bashkë me mua, të bëjmë një ekip të mirë për të shkuar te çdo i ri edhe për të ndarë eksperiencat tona. Për të bërë gjërat më të mira për qytetin tuaj dhe të ardhmen tuaj. Të bëjmë më të mirën për Elbasanin duke sjellë më shumë investime, duke ndryshuar këtë qytet. Qyteti po ndryshon. Ndryshimet janë shumë të rëndësishme edhe për ta kthyer Elbasanin në një nivel tjetër”, tha ai.

Gjiknuri shtoi se, shumë arritje të cilat janë shënuar në Shqipëri janë rezultat i politikave të duhura të ndjekura nga qeveria socialiste. Ai shprehu bindjen se Shqipëria do të jetë anëtare e familjes evropiane.

“Shqipëria ka bërë progres të jashtëzakonshëm. A duhet të kishte ecur më shpejt?! Natyrshëm, por duhet parë dhe stadi nga është filluar. Nga kjo pikëpamje unë them se mundësitë janë të jashtëzakonshme. Këtu po zhvillohet turizmi. Këtu po vijnë industritë e tjera. Shqipëria mund të bëhet dhe vend atraktiv dhe për industritë e reja. Të gjitha këto do krijojnë mundësi për të rinjtë. Gjenerata juaj ka shanse goxha të mëdha, sepse Shqipëria është më e integruar. Unë them për 7-8 vjet Shqipëria do bëhet, shpresoj, në 2030 Shqipëria do jetë anëtare e Bashkimit Evropian. Shumë të mira që po bëhen sot janë rezultat i politikave tona”.

Ai ironizoi dhe kandidatin e shpallur të opozitës për bashkinë e Elbasanit, i cili ka humbur më herët në zgjedhje.

“Pjesëmarrja juaj, duke thënë: Gled, nesër hap vendin, se dua të vij unë. Përse mos jetë një nga ju nesër kryetar i bashkisë së Elbasanit, një vajzë apo një djalë, pas 10 vjetësh? Se tani po na riciklohen disa që kur ishin të rinj konkurruan, humbën, tani do dalin do shpëtojnë Elbasanin pas 20 vjetësh”, tha më tej Gjiknuri.

 

Fraksion.com