OKB: Shkelje të rënda të të drejtave të njeriut gjatë luftës në Ukrainë
Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut akuzoi të enjten Rusinë për shkelje të rënda të të drejtave ndërkombëtare të njeriut dhe ligjeve humanitare në Ukrainë. Akuza u bë përmes një raporti mbi zhvillimet e fundit në luftën e Rusisë kundër Ukrainës që iu dorëzua Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
Raporti përqëndrohet në vrasjet e civilëve nga forcat e armatosura ruse përmes ekzekutimeve në masë, të cilat u zhvilluan në 102 fshatra midis 24 shkurtit dhe 6 prillit.
Monitoruesit e OKB-së kanë dokumentuar vrasjet e 441 civilëve — burra, gra, djem dhe vajza — nga trupat ruse. Shefi i OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Tuerk tha se shifrat aktuale ka të ngjarë të jenë shumë më të larta.
“Në disa raste, ushtarët rusë ekzekutuan civilë në vendet e improvizuara të paraburgimit…edhe kur viktima kishte treguar qartë se nuk përbënte kërcënim, për shembull, duke i mbajtur duart lart. Ka tregues të fortë se ekzekutimet në masë të dokumentuara në raport mund të përbëjnë krim lufte të vrasjes me dashje”, tha zoti Tuerk.
Raporti dokumenton gjithashtu sulmet ruse mbi ndërtesat e banimit dhe sulmet me raketa në infrastrukturën kritike, duke përfshirë objektet energjetike, të cilat po shkaktojnë vështirësi ekstreme për civilët këtë dimër.
Zoti Tuerk tha se ekipi i tij në terren po vazhdon të dokumentojë shkeljet që prekin civilët dhe luftëtarët, duke përfshirë ndalimin arbitrar, zhdukjen e detyruar, torturën dhe dhunën seksuale gjatë konfliktit.
Në Gjenevë, ambasadorja e Ukrainës në OKB, Yevheniia Filipenko, bëri thirrje për mbështetje ndërkombëtare për krijimin e një gjykate speciale. Ajo tha se udhëheqja politike dhe ushtarake ruse duhet të mbahet përgjegjës për krimet dhe agresionin kundër Ukrainës.
Në prezantimin e raportit, zoti Tuerk shprehu indinjatën e tij për vuajtjet e shkaktuara mbi miliona njerëz në Ukrainë. Zoti Tuerk, i cili përfundoi një vizitë katër-ditore në Ukrainë një javë më parë, foli për vdekjet, ankthin e jetëve të çrrënjosura dhe të familjeve të ndara.
Që kur Rusia sulmoi Ukrainën më 24 shkurt, ai tha se gati 8 milionë njerëz janë larguar nga vendi dhe 6.5 milionë janë zhvendosur brenda vendit. Zoti Tuerk tha se më shumë se 18 milionë njerëz – pothuajse gjysma e popullsisë – kanë nevojë për ndihmë humanitare.
“Rreth 1.5 milionë fëmijë janë në rrezik të depresionit, ankthit, çrregullimit të stresit post-traumatik dhe sëmundjeve të tjera mendore. Dhe këtë po e përmend në veçanti sepse tregon ndikimin e tmerrshëm që lufta ka patur veçanërisht te fëmijët”, tha zoti Tuerk.
Ambasadorja amerikane në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së, Michele Taylor tha se Shtetet e Bashkuara janë të indinjuara nga mizoritë e kryera në luftën kundër Ukrainës. Ajo i bëri thirrje Rusisë që t’i japë fund luftës dhe tha se Uashingtoni qëndron në solidaritet me popullin e Ukrainës.
Fraksion.com