Kreu i ri i SPAK, Rama: Thashethemet e katundit politik e mediatik i mori era
Kryeministri Edi Rama uroi sot Altin Dumanin për zgjedhjen si Kryeprokurori i ri i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Në një reagim në rrjetet sociale, Rama tha se fjalën le ta marrë puna me rezultate konkrete.
“Procesi i zgjedhjes së drejtuesit të ri të SPAK foli vetë për të gjithë ata që duan të dëgjojnë dhe të gjitha thashethemet e katundit politik e mediatik për kapjen e s’kapjen e SPAK-ut nga regjimi i mori era”, tha Rama.
Kryeministri Rama i shprehu “urime drejtuesit të ri dhe fjalën le ta marrë puna me rezultate konkrete”.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë zgjodhi me 5 vota pro prokurorin Altin Dumani si drejtues të ri të SPAK, i cili zëvendëson në këtë detyrë Arben Krajën. Mandati i Dumanit do të jetë 3 vjet pa të drejtë rizgjedhjeje dhe përfundon në vitin 2025.
Fraksion.com