AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Kërkesa e Serbisë për të futur ushtrinë në Kosovë, një tjetër shashkë politike surreale

Kryeministri Edi Rama e cilësoi sot kërkesën e Serbisë drejtuar NATO-s për të dërguar trupa serbe në veri të Kosovës për të mbrojtur serbët etnikë, një tjetër shashkë speciale e retorikës politike, krejtësisht surreale.

Me rastin e festave të fundvitit, Kryeministri Edi Rama shtroi një darkë me përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, me të cilët ndau mbresat e ngjarjeve të vitit që po mbyllet, si dhe diskutoi për projektet të përbashkëta që do të realizohen së shpejti, me vende mike e partnere.

Duke u ndalur te situata në veri të Kosovës, Rama tha se “nuk është një fundvit i mirë për procesin e normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë”.

“Rritja e tensioneve në veri të Kosovës është, jo vetëm e padobishme, por thellësisht shqetësuese. Është e pabesueshme që na duhet të merremi vazhdimisht me shfaqjen e barrikadave, prapakthime në procesin e normalizimit dhe ekipe zjarrfikësish të SHBA dhe BE që vrapojnë të shpëtojnë makinerinë e dialogut nga flakët e një retorike të rënduar politike”, tha ai.

Kryeministri shtoi se së fundmi, dëgjuam deri për kërkesa të bëra NATO-s për të dërguar trupa serbe në veri të Kosovës, për të mbrojtur serbët etnikë.

“E kuptoj që kjo mund të jetë një tjetër shashkë speciale e retorikës politike, por është po kaq surreale sa do të ishte nëse Kosova do t’i kërkonte NATO-s të dërgonte trupa shqiptare në Serbinë jugore për të mbrojtur shqiptarët etnikë. E gjitha kjo është tejet larg asaj për të cilën kemi nevojë. Kemi hyrë në dekadën e tretë qysh kur Kosova u lirua një herë e përgjithmonë nga Beogradi. Ajo nuk do të jetë kurrë më nën ligjin e Beogradit”, shtoi ai.

Rama tha se “ne kemi nevojë vetëm tri gjëra: dialog, dialog, dialog”.

“Pjesa tjetër është thjeshtë politikë e keqe. E di më së miri se është më e lehtë ta thuash se ta bësh një gjë të tillë, por çdo rrugë e shkurtër që merret përtej dialogut të vështirë, madje të dhimbshëm midis Serbisë dhe Kosovës, jo vetëm për ato të dyja, po për të gjithë rajonin, shpie në një territor shumë të rrezikshëm”, tha ai.

Rama tha se “nuk e zgjodhëm ne të jetonim në këtë lagje sëkëlldisëse të Europës, që quhet Ballkan, madje nëse do të mundeshim do ta kishim zëvendësuar njëri-tjetrin me fqinj të tjerë”.

“Por, së pari, nuk ka asnjë vend tjetër në këtë planet ku ta transferojmë vendin tonë dhe së dyti, secili prej fqinjëve tanë është këtu për të qëndruar. Kështu që më mirë të mësojmë, e të mësojmë shpejt të jetojmë me njëri-tjetrin, të punojmë me njëri-tjetrin, të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe më mirë ta kuptojmë pa humbur më shumë dekada se duhet ta bëjmë këtë, sepse është gjëja më e mirë që mund të bëjmë për t’i shërbyer pikërisht interesit tonë. Na duhet ta mbajmë murtajën e luftës ruse larg këtij rajoni dhe ndërkohë që do të mbetemi gjithnjë, me vendosmëri, krah Republikës së Kosovës çdo herë që e drejta e saj sovrane për t’u qeverisur nga autoritetet e veta do të vihet në pikëpyetje në çfarëdolloj forme”, tha ai.

Por po kështu, Kryeministri theksoi se “nuk kemi asnjë dyshim se ndërtimi i urave të bashkëpunimit me Serbinë jo vetëm është gjëja e duhur për t’u bërë, por është diçka që i shërben pikërisht interesave tona si vend dhe si komb, e kjo promovon paqen në një rajon ku fantazmat e së shkuarës janë kahera gati që t’i shpallin luftë të ardhmes sonë të përbashkët”.

 

Fraksion.com