Rama: Aeroporti i Vlorës do të jetë më i madhi në Ballkan
Në rrugën e aeroportit të Vlorës vazhdon puna me ritme për ta përfunduar brenda afatit kontraktual.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot pamje në rrjetet sociale nga puna në këtë aeroport, i cili do të jetë më i madhi në Ballkan.
Kryeministri thekson se aeroporti i Vlorës është një ndër investimet më të rëndësishme për ekonominë e vendit.
Në aeroportin e Vlorës kanë përfunduar të gjitha punimet e veprave të artit, punimet për gërmimin e kasonetës dhe mbushjes së trupit të rrugës dhe ndërtimi i kanaleve kulluese dhe vaditëse.
Me një vlerë investimi prej 104 milionë euro, në periudhën 2-vjeçare të fazës së parë do të ndërtohet godina e aeroportit dhe pista, që kapin vlerën mbi 103.5 milionë dollarë.
Ndërsa në fazën e dytë, në 4 vitet e para do të zhvillohet infrastruktura suplementare e biznesit dhe turizmit, që arrijnë vlerën e investimeve me qindra-miliona euro.
Aeroporti i Vlorës do të presë udhëtime të drejtpërdrejta edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Aeroporti do të shtrihet në një sipërfaqe prej 297 hektarësh. Nga këto 16.000 m2 do të jetë zona e terminalit të pasagjerëve. Parkingu i avionëve do të jetë 46.690 m2 nga të cilat 32.000 m2 do të jenë për pozicionet e avionëve (12 vendqëndrime), 2000 m2 do të jetë sipërfaqja e shërbimit zjarrfikës.
Fraksion.com