Bylykbashi në Berlin, takim me Olav Gutting: Rama po pengon me procedura gjyqësore PD-në për t’u regjistruar në zgjedhje
Nënkryetari i PD-së, Oerd Bylykbashi ndodhet për një vizitë në Berlin ku zhvilloi një takim me deputetin dhe anëtarin e kryesisë së grupit parlamentar të CDU, Olav Gutting.
Bylykbashi theksoi se e informoi Gutting për gjendjen e rënduar të pluralizmit, pengimin e procesit gjyqësor dhe sulmin ndaj liderit të PD-së.
“E informova për situatën e rënduar në Shqipëri ku pluralizmi dhe demokracia janë nën agresion të hapur nga Kryeministri Rama. Gutting, që ishte në dijeni të sulmit mbi kryetarin e PD, dëgjoi me interes mbi zhvillimet në PD ku vota e anëtarësisë dhe përfaqësuesit e zgjedhur prej saj përcaktojnë tashmë drejtimin e veprimit politik të opozitës”, tha Bylykbashi.
Ai theksoi se, Gutting ndoqi me shqetësim përpjekjet e Edi Ramës për të penguar me procedura gjyqësore PD-në për t’u regjistruar në zgjedhje dhe prishjen e tyre nëpërmjet përdorimit të shtetit, presionit dhe shitblerjes së votës, me qëllim zhbërjen e PD dhe pluralizmit.
“E sigurova se asnjë faktor nuk mund ta pengojë më PD-në në betejën e saj të fortë opozitare për rrëzimin e regjimit hibrid të Ramës. Stabiliteti demokratik dhe jo ai autokratik i Ramës janë zgjidhja. Zhbërja e demokracisë, keqqeverisja, korrupsioni qeveritar, hapësira e mbrojtur që qeveria i jep krimit të organizuar, janë probleme akute dhe ndamë qëndrimin e përbashkët se zgjedhjet e lira dhe demokratike, shpejtimi dhe forcimi i integrimit të Shqipërisë në BE janë kurë për këto probleme të rënda”, tha ai.
Fraksion.com