AktualitetPolitikëTë fundit

Zgjedhja e kreut të ri të SPAK, Kim: Do të monitorojmë nga afër procesin e përzgjedhjes

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim deklaroi sot se “gjatë javës së fundit jemi takuar me çdo anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për të nënvizuar rëndësinë e zgjedhjes së një kreu të ri të SPAK”.

Në një postim në rrjetet sociale, Kim shkruan se kreu i ri i SPAK do të intensifikojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pa frikë apo favore.

Sipas saj, procesi i përzgjedhjes nuk duhet të ndikohet nga ata që kanë interes të kufizojnë ose manipulojnë hetimet.

“Ky është thelbi i reformës në drejtësi: drejtësia duhet të jetë e verbër ndaj pushtetit, prokurorët e gjyqtarët duhet t’i trajtojnë të gjithë si të barabartë para ligjit, institucionet duhet të jenë të pavarura. Reforma në drejtësi nuk është vetëm një kusht për anëtarësimin në BE; është kërkesë e drejtë e popullit shqiptar. SHBA do të qëndrojë gjithmonë me popullin e Shqipërisë”, deklaron diplomatja amerikane.

Ambasadorja nënvizon se “ne do të vazhdojmë të mbështesim me vendosmëri zbatimin e reformës në drejtësi. Kjo nuk do të ndryshojë. Do të monitorojmë nga afër procesin e përzgjedhjes për SPAK për t’u siguruar që reforma në drejtësi të ecë përpara”.

Kreu i ri i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) do të zgjidhet më 16 dhjetor ndërsa në garë janë tre prokurorët Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com