AktualitetPolitikëTë fundit

“Sunak u angazhua ta shtyjë përpara”, Rama: Skuadra speciale me Britaninë për emigrantët e paligjshëm ide jo e re

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak ka marrë përsipër ta shtyjë përpara procesin e krijimit të skuadrave të përbashkëta për çështjen e emigrantëve të paligjshëm shqiptarë që shkojnë drejt Britanisë së Madhe, ndërsa shtoi se kjo ka qenë një ide e përsëritur prej tij prej shumë kohësh.

Në një prononcim për mediet nga selia e Partisë Socialiste, Kryeministri Rama iu përgjigj interesimit të gazetarëve mbi vendimin e Britanisë së Madhe për çështjen e emigrantëve të paligjshëm shqiptarë.

Kryeministri zbardhi detaje nga telefonata e zhvilluar me kryeministrin e Britanisë së Madhe, Rishi Sunak pak ditë më parë, pas debatit të zhvilluar në kuadër të emigrantëve të paligjshëm shqiptarë atje.

“Kjo është një kërkesë e imja që në kohën kur Boris Xhonson ka qenë Sekretar i Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe dhe e kam përsëritur vazhdimisht, sepse sa herë kanë ardhur dhe kanë ndarë me ne këtë shqetësim kam qenë konsistent në të njëjtën gjë: Mos flisni për krim shqiptar, se nuk ekziston. Krimi është krim dhe nuk ka etni. Nëse keni problem, nëse doni ndihmën tonë, se ne jemi zgjedhur për të qeverisur Shqipërinë jo Britaninë e Madhe, ne jemi të gatshëm që bashkë me ju të ngremë një skuadër speciale, siç e kemi bërë me vende të tjera dhe ka funksionuar më së miri”, tha Rama.

Kryeministri informoi se ka propozuar që kjo skuadër të merret 24 orë në kohë reale për identifikimin, penetrimin, ndarjen e informacionit, vëzhgimin dhe në fund ndalimin e elementëve që organizojnë këto rrjete të kriminalitetit, trafikut klandestin e me radhë.

“Më thoshin ‘ide e bukur’, por nuk është bërë kurrë. Këtë herë kam pasur një bisedë goxha përmbajtësore me kryeministrin e fundit, se janë ndërruar shumë në Britaninë e Madhe që kur jam unë kryeministër këtu, për shkak të gjithë atyre krizave që kanë pasur”, tha Rama.

Rama theksoi se kryeministri i Britanisë së Madhe ka marrë përsipër që jo vetëm të thotë “ide e bukur”, por edhe ta shtyjë përpara.

“Kemi bërë një dakordësi, se nuk është as ndonjë marrëveshje e re. E rëndësishme është që kryeministri britanik më ka shprehur keqardhjen dhe një keqardhje e shprehur në mënyrë shumë pa ekuivok për çfarë ka ndodhur. Fatkeqësisht komuniteti shqiptar është vendosur nën një dritë krejtësisht të gabuar”, tha Rama.

Kryeministri informoi po ashtu se Sunak i ka shprehur gjithë konsideratat për bashkëpunimin, ecurinë e punës së përbashkët në arenën ndërkombëtare, Këshillin e Sigurimit, në NATO etj.

“Më ka shprehur po ashtu edhe dëshirën që të takohemi shpejt dhe pastaj jemi ndalur te kjo pjesë. Unë kam përsëritur të njëjtin princip. Nuk ka nevojë të ndani shqiptarët nga askush tjetër. Komuniteti shqiptar në të gjitha vendet është një komunitet që sjell vetëm vlerë të shtuar në të gjitha aspektet. Ata elementë që janë problematikë nuk përfaqësojnë komunitetin shqiptar askund dhe as shtetin dhe flamurin tonë. Janë jashtënxjerrjet e një kombi, si të çdo kombi. Me ata duhet marrë me një mënyrë tjetër. Por nëse shanset për të marrë azil politik në Gjermani, Francë, Holandë, Suedi janë zero, kërkojeni te vetja, te sistemi britanik, as te qeveria e Shqipërisë dhe as tek ata që nisen për të ardhur te ju se nuk marrin dot vizë”, tha Rama.

 

Fraksion.com