Peleshi në Komandën Supreme të NATO-s në Evropë: Shqipëria aleat i besueshëm
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi zhvilloi një vizitë zyrtare në Komandën Supreme të Aleancës në Europë.
Ai u prit në një takim nga Komandanti Suprem i Aleancës për Europën, Gjenerali Christopher G. Cavoli, njëkohësisht dhe Komandanti i Komandës Amerikane për Europën.
Gjatë takimit u diskutua mbi mjedisin aktual të sigurisë, sfidat në kufirin lindor të Aleancës, bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, angazhimet e vendit tonë në kuadër të NATO-s, partneriteti strategjik me SHBA, zhvillimi i kapaciteteve të FARSH dhe modernizimi.
Ministri Peleshi ndër të tjera vlerësoi rolin vendimtar të Komandës Supreme të Aleancës në materializimin e objektivave politike të NATO-s dhe mbi të gjitha punën e matur për përballje me sfidat aktuale në kufijtë e Aleancës, pa shkëputur vëmendjen nga rajoni i Ballkanit.
Ai theksoi rëndësinë e prezencës së trupave të NATO-s në lindje, Letoni dhe Bullgari dhe njëkohësisht në KFOR, Kosovë.
NATO dhe SHBA, sipas ministrit Peleshi, duhet të promovojnë dhe investojnë me këmbëngulje në reformën e sektorit të mbrojtjes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Në këtë kontekst, rëndësi të veçantë ju kushtua rolit të Shqipërisë, si një aleat i besueshëm dhe kontribues aktiv për garantimin e paqes dhe sigurisë në rajon e më gjerë, por në të njëjtën kohë dhe pozicionit strategjik që vendi ynë ka për mbështetjen e vazhdueshme logjistike në kufirin lindor të Aleancës.
Në takim u vlerësua rëndësia që qeveria shqiptare i ka kushtuar zhvillimit të infrastrukturës dhe kapaciteteve të porteve dhe ndërtimit të “Korridorit VIII”, si projekte thelbësore për aksesin e menjëhershëm të forcave të NATO-s në brendësi të Ballkanit deri në Detin e Zi.
Ministri i Mbrojtjes shprehu gatishmërinë e vendit tonë për të ndërtuar këtë infrastrukturë sipas standardeve të NATO-s dhe vendosjen e saj në dispozicion të Aleancës.
Komandanti Suprem i Aleancës për Europën, Gjenerali Christopher G. Cavoli, njëkohësisht dhe Komandanti i Komandës Amerikane për Europën shprehu mirënjohjen e tij për rolin e Shqipërisë si një aleat dinjitoz dhe tepër dinamik në NATO, kontributin e vendit tonë për Aleancën dhe vullnetin e shprehur në vazhdimësi.
Gjenerali Cavoli vlerësoi rolin dhe profesionalizmin e ushtarakëve shqiptarë që shërbejnë në komandat dhe misionet e NATO-s.
Gjatë aktivitetit ministri i Mbrojtjes u takua edhe me personelin ushtarak shqiptar që shërben në SHAPE. Peleshi i falënderoi ata për punës e mirë dhe përfaqësimin dinjitoz në komandën kryesore të NATO-s.