Nisin punimet për “Lungomare 3”, nga Uji i Ftohtë deri në Orikum
Në Vlorë nisën sot punimet për ndërtimin e “Lungomare 3” me një gjatësi rreth 20 km duke filluar nga tuneli i Ujit të Ftohtë deri në Orikum, një projekt që pritet të finalizohet para verës të vitit 2024.
Nisja e punimeve u ndoq nga nga ministrja e Turizmit dhe Medisit, Mirela Kumbaro dhe drejtuesi politik i PS-së për qarkun Vlorë, deputeti Blendi Klosi si dhe nga delegacioni i Fondit Saudit për Zhvillim, i kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Departamentit të Operacioneve Aziatike, Dr. Saud bin Ayed Al-Shammari dhe ambasadorit të Kujdestarit të Dy Xhamive të Shenjta në Shqipëri, Faisal Hefzi e disa zyrtarë të tjerë.
Kumbaro tha se në gjithë gjatësinë e saj “Lungomare 3” do të pajiset me disa pista paralele dhe me shtigje të cilat do të kalojnë edhe në det dhe rikthehen në rrugë për këmbësorët dhe shëtitore, por edhe me një pistë të veçantë për biçikleta.
Ndërsa Klosi shprehu bindjen se me këtë investim kjo zonë do të transformohet në një zonë shërbimi me 5 yje.
“Gjithë zona ka marrë një vlerë të jashtëzakonshme nga pikëpamja e vlerës ekonomike. Është një projekt që ka dezenjuar një vlerë turistike me shërbime me 5 yje që nga hotelet me 5 yje, marina dhe deri tek aeroporti”, tha ai.
Ambasadori Faisal Hefzi vlerësoi rëndësinë e këtij projekti, i cili prek jetën e qytetarit shqiptar dhe reflekton vendosmërinë e Qeverisë Saudite, nëpërmjet Fondit, për të mbështetur projektet e zhvillimit në shtetet simotra dhe mike, përfshirë Republikën e Shqipërisë, me të cilën Mbretëria ka marrëdhënie të ngushta.
Nga ana e tij, Dr. Saud Al-Shammari shpjegoi se ky projekt buron nga interesimi i qeverisë së Mbretërisë, që nëpërmjet Fondit, të mbështesë projektet dhe programet e zhvillimit në Republikën e Shqipërisë. Ai vlerësoi përpjekjet e përbashkëta mes Mbretërisë Saudite dhe Republikës Shqiptare dhe uroi Qeverinë dhe popullin shqiptar për më shumë prosperitet dhe zhvillim, duke veçuar urimin që ky projekt të jetë një nga degët e zhvillimit.
Financimi i këtij projekti vjen përmes një kredie të butë zhvillimore të ofruar nga Fondi Saudit për Zhvillim në shumën totale prej (30) milionë dollarë.
Projekti synon të rrisë standardet e ofrimit të shërbimeve në zonën e plazhit, përbri rrugës e cila do të rehabilitohet e gjitha, përfshirë ndërtimin e një piste për biçikleta, një trotuari për këmbësorë dhe ndërtimin e parkingjeve me kapacitet 500 vende. Kësaj i shtohet dhe rehabilitimi i lulishteve ekzistuese dhe ndërtimi i të rejave, ndërtimi i objekteve për shërbime publike dhe pajisja e tyre me shërbimet bazë, përkatësisht ujë, energji elektrike dhe kanalizime.
Projekti do të shërbejë në rritjen e nivelit tregtar dhe ekonomik, uljen e kostove të transportit, mbështetjen e mundësive jetike për punë direkte dhe indirekte, si dhe përmirësimin e shëndetin publik të përfituesve. Projekti synon të arrijë dhe një sërë objektivash rreth zhvillimit të qëndrueshëm, duke përfshirë objektivat nr. 11, 15 dhe 17 që kanë të bëjnë me krijimin e qyteteve dhe komuniteteve të qëndrueshme, përmirësimin e jetesës, si dhe forcimin e partneriteteve zhvillimore për të përmbushur objektivat.
Gjatë viteve të fundit, krahas këtij projekti, Fondi ka dhënë edhe katër kredi zhvillimore për financimin e tre projekteve zhvillimore me vlerë mbi 114.5 milionë dollarë, me qëllim zhvillimin e sektorit të infrastrukturës dhe arritjen e synimeve të zhvillimit të qëndrueshëm.
Fraksion.com